Rikthehet i ftohti, ngrica dhe dëbora pushton të gjithë vendin
Shqipëria është përfshirë nga i ftohti, ndërsa gjatë tri ditëve të ardhshme pritet të ketë një ulje të ndjeshme të temperaturave. Nga të dhënat e agjencive të huaja, të specializuara për parashikimin e motit, pritet që temperatura të arrijë deri në –12 gradë Celsius. Ndërsa në kryeqytet temperaturat do të arrijnë nga – 4 deri në 5 gradë. Burimet zyrtare në qarkun e Kukësit raportojnë se mbrëmë zonat veriore të vendit janë përfshirë nga një furtunë e fuqishme, e shoqëruar me reshje dëbore. Po ashtu, ka patur edhe erëra të forta, të cilat kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e mjeteve në të gjitha akset rrugore. Në mëngjesin e djeshëm, rajoni i Korçës ishte zbardhur nga dëbora, e cila kishte vënë një shtresë me trashësi prej 60 centrimentrash, duke shënuar nivelin më të lartë të rënies së reshjeve për vitin 2008.
Dëbora bllokon rrugët në Veri
Vendi ynë është përfshirë gjatë 24 orëve të fundit nga masa ajrore të ftohta dhe të lagështa. Duke iu referuar të dhënave të Shërbimit Meteorologjik të Forcave të Armatosura Ajrore, gjatë gjithë ditës së djeshme ka patur një ulje drastike të temperaturave, të cilat do ta shoqërojnë vendin tonë edhe gjatë 36 orëve të ardhshme. Duke iu referuar të dhënave nga agjencitë e specializuara, niveli minimal i temperaturave do të arrijë deri në –14 gradë Celsius. Mbrëmë u raportua për një gjendje të përkeqësuar në zonën veriore të vendit. Reshjet e dëborës dhe era e fortë kanë krijuar probleme për lëvizjen e mjeteve. "Aktualisht nuk ka akse rrugore të bllokuara, por nëse kjo situatë vazhdon lëvizja e mjeteve do të vështirësohet", - tha mbrëmë drejtori Rajonal i Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve, Rushit Gashi. Nga të dhënat e para mësohet se dëbora ka krijuar një shtresë prej gati 20 cm në disa komuna si në Arrën, Grykë Çajë, Shishtavec, Kalis, Lekbibaj, etj. Në këto zona, edhe lëvizja e mjeteve është vështirësuar mjaft. Gjatë dy ditëve të fundit është shtuar ndjeshëm fluksi i lëvizjes nga Shqipëria drejt Kosovës për shkak të festimeve të pavarësisë në Prishtinë.
Rikthehet dëbora në rajonin e Korçës
Reshjet e dëborës që kanë rënë gjatë orëve të para të ditës së djeshme kanë krijuar për herë të parë një situatë dimri në rajonin e Korçës. Reshjet e dendura kanë krijuar një shtresë dëbore afro 15 centimetra në qytet dhe 30-60 centimetra në zonat malore. Të paktën pesë fshatra të thella malore të rrethit, si Dardha, Shtylla, Panariti, Voskopoja e Moglica, janë bllokuar për shkak të reshjeve të shumta të dëborës që brenda pak orëve kanë shkuar deri në një trashësi prej 60 cm në zonat e thella malore të juglindjes së vendit, duke bllokuar rrugët. Në rrugët rurale më problematike të rrethit për orë të tëra kanë punuar mjetet borëpastruese, të cilat nuk kanë mundur të hapin të gjitha akset rrugore, pasi ka mbetur përkohësisht i bllokuar fshati turistik i Voskopojës. Këtë e bëri të ditur drejtori i Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve, Kreshnik Zgjana. Sipas tij, edhe fshati Dardhë ka mbetur i izoluar sepse edhe për shkak të erës dëbora nuk është larguar nga rruga. Temperaturat që janë ulur ndjeshëm krahasuar me një ditë më parë kanë rikthyer dimrin e ftohtë, ndërsa akset nacionale kanë qenë të ngarkuara me dëborë.
Rruga e Dardhës ka mbetur e bllokuar gjatë ditës së djeshme nga dëbora. Me vështirësi për mjetet ka qenë transporti dhe lëvizja në akset Korçë - Ersekë, Korçë - Voskopojë, Qafë Thanë e Kapshticë, edhe pse në këto dy të fundit trashësia ka qenë më e paktë, por për shkak të ngricave mbi asfalt ka qenë e vështirë lëvizja e mjeteve. Temperatura minimale e regjistruar në mëngjes ka qenë - 4, ndërsa gjatë ditës për shkak të ngricës dhe erës në qytet është regjistruar - 6 gradë. Meteorologët parashikojnë temperatura të ulëta dhe reshje dëbore edhe gjatë ditës së sotme.
TEMPERATURAT GJATË DITËS SË DJESHME
Tiranë -2 dhe 8
Shkodër -3 dhe 4
Kukës -7 dhe 0
Durrës 0 dhe 8
Peshkopi -7 dhe -2
Kuçovë -1 dhe 4
Gjirokastër -1 dhe 4
Korçë -7 dhe 0
Lezhë -3 dhe 7
Elbasan -1 dhe 8
Sarandë -1 dhe 9
Vlorë -1 dhe 9
18 Shkurt 2008