E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punimet në Tiranë-Durrës, trafiku devijohet për katër ditë

Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve njofton të gjitha subjektet që do të qarkullojnë në autostradën Tiranë-Durrës (km 20, fshati Borakë) se duke filluar nga dita e hënë, datë 18.02.2008, deri më datë 21.02.2008, si pasojë e punimeve që do të kryhen në rrugë do të ketë devijim të trafikut. Devijimi i trafikut do të bëhet për subjektet që do të qarkullojnë nga ora 23 deri në orën 5 të mëngjesit, përkatësisht: a) mjetet që lëvizin nga Tirana në drejtim të Durrësit, të devijojnë në rampën dalëse të kryqëzimit në disnivel në Maminas dhe do të rihyjnë në kryqëzimin në disnivel Sukth. b) mjetet që lëvizin nga Durrësi në drejtim të Tiranës, të devijojnë në rampën dalëse të kryqëzimit në disnivel Sukth dhe do të rihyjnë në kryqëzimin në disnivel Maminas. Vendosja e sinjalizimit të përkohshëm rrugor do të bëhet vetëm për orarin 23 deri në 5 të mëngjesit. Gjatë intervalit kohor 5 deri në 23, rruga do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Policia e Qarkullimit Rrugor ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin normal të mjeteve rrugore dhe menaxhimin sa më efikas të trafikut.

Doganat, me qendra operative në degët e rretheve

Doganat shqiptare pritet të ndërtojnë qendrën operative, e cila do të lidhë Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me të gjitha degët doganore nëpërmjet një sistemi on-line.
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Doganave, Bujar Vukaj, tha dje se procesi për modernizimin e doganave shqiptare do të fillojë që në vitin 2008 dhe pritet të përfundojë në vitin 2009. "Për ndërtimin e qendrës operative pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave janë parashikuar të shpenzohen nga buxheti i shtetit rreth 2 milionë euro deri në fund të vitit 2009", - tha Vukaj. Sipas tij, lidhja on-line e qendrës operative me degët doganore do të ndikojë jo vetëm në uljen e kontrabandës, por do të përmirësojë ndjeshëm edhe etikën e personelit të shërbimit doganor, pasi do të jenë nën vëzhgim non stop të operatorëve pranë DPD-së.

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›