Vdes punonjësi i shkarkimit nga këputja e kavos
DURRËS – Teksa punonte për shkarkimin e çimentos nga anija, është shkëputur një kontruksion metalik duke sjellë vdekjen e menjëhershme të një punonjësi të ngarkim-shkarkimi në Portin e Durrësit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në një aksident të rëndë humbi jetën Ajet Kolari, 55 vjeç, lindur dhe banues në këtë qytet. Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një aksident të ndodhur për shkak të moszbatimit të rregullave të sigurimit teknik nga ana e ekuipazhit të anijes. Ngjarja ndodhi në Kalatën Nr. 7, në të cilën është ankoruar një nga anijet e mallrave. Anija ka sjellë çimento për tregun e brendshëm dhe gjatë përpunimit të saj është shkëputur një konstruksion metalik, pjesë e anijes, në momentin që vinçi po manovronte mallin. Më pas është goditur punëtori, i cili ndodhej në hambarin e anijes. Grupi hetimor nisi procedurat për të zbardhur shkakun e aksidentit. Ky është rasti i dytë brenda harkut të një jave që në Portin e Durrësit ndodhin të tilla aksidente.
Prangoset 40-vjeçari, akuzohet për disa vjedhje
ELBASAN - Një 40-vjeçar është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi akuzohet për vjedhjen e pesë banesave në qytetin e Elbasanit. Burime të policisë thanë dje se shtetasi Musa Bardhi, 40 vjeç, lindur në fshatin Godolesh dhe banues në lagjen “1 Maji” të qytetit të Elbasanit, është arrestuar gjatë një aksioni të mirorganizuar pasi mësohet se ky shtetas në kohë të ndryshme ka kryer vjedhje në pesë banesa në qytetin e Elbasanit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 40-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale shumë sende me vlerë që ky shtetas kishte vjedhur në banesa të ndryshme. Mësohet se 40-vjeçari ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit, në pritje të hetimit për veprën penale të “vjedhjes”.
18 Shkurt 2008