E Diel, 1 Nëntor 2026

“Eagle Mobile”, marrëveshje 20 milionë dollarë me “Huawei Technologies”



“Huawei Technologies” dhe “Eagle Mobile” nënshkruan marrëveshjen e planit të investimit për vitin 2009 me një vlerë prej 20 milionë dollarësh amerikanë. Investimi do të kryhet për rrjetin e kompanisë më të re të telefonisë celulare në Shqipëri, “Eagle Mobile”. Drejtori i Përgjithshëm i “Huawei Technologies Albania”, z. Xiao Yongshun dhe drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin, nënshkruan marrëveshjen në prani të Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha në Shenzhen të Kinës. Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në zyrat qendrore të “Huawei Technologies” në kuadër të një vizite zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, për të marrë pjesë në Forumin e Boao-s për Konferencën Vjetorë Aziatike mes datave 17-19 prill. “Shqipëria zë një vend të veçantë në strategjinë e zgjerimit të “Huawei” në Evropë. Kompania jonë po i zhvillon në mënyrë të shpejtë investimet në rrjetet e komunikimit në Shqipëri, në bashkëpunim me “Eagle Mobile””, - tha zv.presidenti ekzekutiv e “Huawei International”, Li Ke, në takimin me Kryeministrin Berisha. Zoti Berisha falënderoi “Huawei Albania” për performancën e shkëlqyer në punën e kryer. Ai i siguroi drejtuesit më të lartë të kompanisë se qeveria e tij do të marrë të gjitha masat për të lehtësuar dhe mundësuar rritjen e aktivitetit të tyre ekonomik në Shqipëri. Kryeministri tha se “Huawei” mund të investojë në Shqipëri përmes mundësisë “Shqipëria 1 euro”, të ofruar nga ekzekutivi shqiptar për investitorët e huaj. “Ne jemi gati të bashkëpunojmë me “Huawei International”, me qëllim shtimin e gamës së shërbimeve elektronike për qytetarët shqiptarë”, - tha Kryeministri Berisha.

“Huawei Technologies” është një kompani lider në brezin më të ri të rrjeteve të telekomunikacionit dhe u shërben aktualisht 35 nga 50 operatorët më të mëdhenj celularë, duke pasur më shumë se 1 miliard përdorues në të gjithë botën. Kompania është e vendosur të ofrojë produkte të reja dhe të nevojshme, shërbime dhe zgjidhje që krijojnë vlerë afatgjatë dhe rritje të përfitimit për klientët e saj.

Bashkëpunimi mes “Huawei” dhe “Eagle Mobile” dha prova që tashmë është i suksesshëm. Në një periudhë prej 12 muajsh, “Huawei” mundësoi vendosjen dhe futjen në aktivitet të 300 antenave dhe qendrave të sinjalit të “Eagle Mobile”, duke mbuluar rreth 98 për qind të popullsisë së Shqipërisë. “Eagle Mobile” me një strategji efiçente marketingu shënoi 258.000 abonentë më 31 janar 2008, ndërsa sot numëron më shumë se 410.000 abonentë në të gjithë vendin. Plani i investimit në rrjet dhe në teknologjinë e fundit të kësaj kompanie për 2009-n arrin një vlerë më se 20 milionë dollarë amerikanë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›