E Shtunë, 31 Tetor 2026

GARA ZGJEDHORE DHE KRIZA



Nga Izet Shehu

Këtë vit, në forume kombëtare e ndërkombëtare, në mediat elektronike e të shkruara, në mjediset shoqërore e familjare, kudo thuhet se bota dhe në të edhe Shqipëria po kalon një krizë ekonomike. Kurrsesi nuk mund të shpëtonte vendi ynë nga kjo krizë që ka mbërthyer mbarë globin, madje, edhe vendet më të zhvilluara. Që është fjala për krizë, kjo s’vihet në dyshim, pasi tronditja sociale e kohëve të fundit nuk mund të mos gjejë një përkufizim të kënaqshëm në një fjalë kaq të qartë. Por, përveç kuptimësisë reale të konceptit “krizë”, u duhet shkuar gjer në fund fakteve që e shkaktuan për të kuptuar thelbin e saj dhe për të mos bërë rrugën e kundërt, duke u nisur nga një përkufizim i nxituar, duke u përpjekur për ta zbutur atë dhe jo duke e përdorur dhe keqpërdorur për qëllime të mbrapshta politike.

Kriza është një e keqe që duhet menaxhuar për të mos rrënuar familje të varfra e biznese të porsamëkëmbura.

Dihet se kriza më tepër se kudo godet familjet që zvarriten nën nivelin e mbijetesës.

Pra, siç e thashë më sipër, ekonomistët më në zë të këtij vendi, ata që aktualisht punojnë në sektorët kyçë të shtetit, si dhe ata të opozitës, duhet të japin ndihmesën maksimale për ta përballuar me sa më pak dhimbje këtë krizë, duke mos spekuluar me hipoteza të pavërtetuara. Kur kriza është globale, kjo duhet kuptuar në kompleksitetin e vet si e tillë. Kriza nuk ka arsye të mohohet nga pala në pushtet dhe të pohohet me tamtame nga pala që kërkon me ngulm për të hipur në kalin e lakmuar të pushtetit. Pra, aspekti ekonomik i krizës, që për mendimin tim tashmë është bërë evident, nuk duhet nxirë për efekte politike e sociale. Problemi politik mbizotëron edhe tani kur edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme elektorale të 28 qershorit 2009. Si qytetar i këtij vendi, shpreh bindjen se tashmë Shqipëria i ka njerëzit e kualifikuar për ta zbutur këtë krizë, i ka vullnetet politike, i ka përgjegjësitë që i dalin para këtij fakti të prekshëm të rritjes së papunësisë (edhe pse pozita pretendon për uljen e saj), të ngritjes së çmimeve në treg, të rritjes fiktive të faturave të energjisë elektrike, të telefonisë, etj.

Këto preken me dorë. Këto ndihen në lëkurën e të papunëve, pensionistëve etj.

Shqipëria është Shqipëri dhe nuk duhet krahasuar me vende të tjera për shumë arsye. Dhe kriza është një krizë tipike shqiptare. Ne kemi një histori të dhimbshme qoftë nga e kaluara komuniste, qoftë nga e tashmja ende e mbajtur peng nga kthetrat komuniste. Për shkak të kësaj të kaluare të mbarsur me kriza, ne, pas rënies së Murit të Berlinit, qemë dhe jemi populli më optimist për të ardhmen. Dhimbjet e së kaluarës na kanë argasur me durimin gjer në dhimbje dhe shpresën gjer në absurd. Ne kënaqemi me pak. Një ndikim në zbutjen e kësaj krize kanë luajtur dhe luajnë emigrantët tanë në Greqi, Itali, Gjermani, SHBA, Kanada e gjetkë.

Pra, të argasurit me shtrëngimin e rripit dhe roli i emigrantëve janë për mendimin tim që i japin diversitetin dhe veçoritë shqiptare kësaj krize, që duam apo s’duam ne, që e mohojmë apo e pohojmë ne, po na prek në lëkurë dhe po na e lëkund optimizmin për të ardhmen. Pra, duke u njohur botërisht kjo krizë, që kurrsesi s’i shpëtonte dot as Shqipëria e argasur me kriza, nuk duhet t’i bëjë euforikë kalorësit e pushtetit, përkundrazi, duhet t’i bëjë ata të marrin masa emergjente. Në radhë të parë, drejtuesit aktualë duhet të jenë transparentë, të mos ia hedhin të keqen e saj frymës globale, por të mbajnë edhe ata atë peshën që u takon. Dhe opozita të mos i fryjë e shfryjë bulçitë, duke akuzuar për qëllime politike krizën që ka prekur familjet dhe sipërmarrjet e ndryshme. Ajo, nëse vërtet e do këtë vend, të mos abuzojë, por të paraqesë para popullit modele të reja për daljen nga kjo krizë. Para kohe fushata elektorale ka filluar. Me vëmendje po e shohim reagimin ndaj krizës dhe rrugëzgjidhjeve për të dalë nga kthetrat e saj, qoftë të pozitës dhe qoftë të opozitës. Votat do t’i marrë ai formacion politik që do ta bindë popullin se do ta kapërcejë butë dhe me modele perëndimore këtë dukuri tejet problematike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›