Thumanë-Rrogozhinë, tenderi për koncesionin në maj
Tenderi për dhënien me koncesion të autostradës Thumanë-Rrogozhinë pritet të hapet në mesin e muajit maj. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit është në fazën përfundimtare të përgatitjes së dokumentacionit për zhvillimin e tenderit për ndërtimin me koncesion të autostradës Thumanë-Rrogozhinë, me një gjatësi prej 66 kilometrash. Burime zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (MPPTT), thanë dje se firma kroate "Konstruktor-Inzenjering" ka shprehur interesin për të marrë me koncesion ndërtimin e autostradës Thumanë-Rrogozhinë. Firma kroate “Konstruktor-Inzenjering d.d - Split” ka shprehur vetë interesin për të marrë këtë rrugë me koncesion dhe MPPTT dhe ajo e Ekonomisë, e kanë mirëpritur kërkesën e tyre. Firma kroate ka përgatitur studimin e fizibilitetit, projekt-idenë, analizën financiare, studimin mjedisor, preventivin përkatës për zbatimin dhe shfrytëzimin, ndërsa një grup pune, i ngritur në MPPTT, ka shqyrtuar vërtetësinë dhe ligjshmërinë e gjithë dokumentacionit. Referuar studimit fillestar që ka sjellë kjo kompani, - thanë burimet zyrtare të MPPTT-së, - mendohet që ndërtimi i rrugës të kushtojë rreth 620 milionë euro. "Qeveria i ka dhënë 4 pikë nga 10 pikët e mundshme dhe aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për të dalë më pas në tender", - shtuan burimet zyrtare. Nga studimet e kryera deri më sot, ku më kryesoret janë dy: studimi i aksit Veri-Jug dhe Masterplanit i Transportit të Shqipërisë, kryer nga kompania "Louis Berger" në 2005, rezulton se pikërisht segmenti rrugor vertikal Thumanë-Rrogozhinë zgjidh problemet e mbingopjes të trafikut automobilistik në Shqipërinë Qendrore, shkurton distancat e transportit Jug-Veri dhe anasjelltas dhe realizon lidhjet e tyre me Tiranën dhe aeroportin ndërkombëtar “Nënë-Tereza”. Në të njëjtën kohë, sipas burimeve të MPPTT-së, ky segment rrugor mbetet e vetmja mundësi për të shkarkuar trafikun e jashtëzakonshëm të segmentit Tiranë-Durrës dhe Durrës-Rrogozhinë, që sipas studimit të Masterplanit të Transportit, rreth vitit 2023 mund të arrijë në seksione të veçanta, në një trafik deri në 60.000 automjete në vit.