Utopia e centralit bërthamor, BE-ja i “fut këmbët në një këpucë” qeverisë shqiptare
Ervin Koçi
Centrali bërthamor, shumë i trumbetuar dhe i kërkuar me ngulm nga qeveria, por dhe shumë i debatuar nga ekspertët e fushës, nuk është aq i lehtë për t’u ndërtuar, edhe sikur të mbizotërojë dëshira e mirë. Sipas ekspertëve të Bashkimit Europian, të cilët kanë ardhur në Tiranë në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, “ndërtimi i një centrali atomik i planifikuar të ndërtohet në Shqipëri kërkon kushte sigurie maksimale”. Sipas tyre, vetëm futja e Shqipërisë në NATO dhe shpallja e saj si vend kandidat për anëtarësimin në BE, mund të vendosin edhe kushtet e reja për ndërtimin e një vepre të tillë, që paraqet ndër të tjera edhe një rrezikshmëri të lartë. Gjithashtu ata kanë theksuar se do të jetë vetë Bashkimi Europian që do të vendosë kushtet për Shqipërinë në rast të ndërtimit të një vepre të tillë.
“Bashkimi Europian do t’i vendosë kusht Shqipërisë zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë për projektin e centralit bërthamor”, - theksuan dje përfaqësuesit e Komisionit Europian në Tiranë. Përfaqësuesi i Komisionit Europian, Fabrizio Barbaso, tha në lidhje me centralet bërthamore se, “Komisioni Europian nuk mban asnjë qëndrim, shqetësimi i vetëm është përmbushja e standardeve, të cilat sigurojnë shëndetin e popullsisë dhe ruajtjen e nivelit ambiental”. Sipas tij, këto standarde u fuqizuan një javë më parë edhe nëpërmjet një direktive të re të KE-së. Koha më e mirë për realizimin e një investimi të tillë, pas krijimit të të gjithë kuadrit ligjor, pritet që të shkojë jo më pak se 5 vjet, por gjithsesi mendimi i opinionit publik është vendimtar dhe do të merret parasysh.
Pretendimi i qeverisë
Hedhja e idesë nga qeveria për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri vjen në një kohë që vendi po përjeton një krizë energjetike që ka filluar prej 2 vjetësh dhe vijon ende. Opozita e ka vlerësuar këtë opsion si demagogjinë e radhës të qeverisë së demokratëve, por kjo e fundit ka deklaruar se “Shqipëria mund të kthehet në nyje energjetike të rajonit, në pozicionin gjeo-strategjik që ka”. Vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha, e ka hedhur dhe mbrojtur idenë e një centrali bërthamor në Shqipëri. Ai ka theksuar gjatë debateve të realizuara për këtë çështje se do të ishte e pafalshme për Shqipërinë që të përjashtonte një burim të tillë energjie. “Në qoftë se qeveria do të përjashtonte me paragjykim njërin nga burimet e energjisë më serioze, më të pastra dhe më të rëndësishme, më të fuqishme, siç është energjia nukleare, do të bënte një gabim të pafalshëm në strategjinë e saj energjetike”,- ka deklaruar kryeministri Berisha. Sipas tij, “centralet bërthamore që ndërtohen aktualisht, konsiderohen si të gjeneratës së katër, me një siguri maksimale dhe prodhimi i energjisë bërthamore, është një mundësi e mirë për vendin, duke pasur parasysh edhe avantazhet krahasuese në kosto që jep kjo energji”.
Takimi për energjinë
Shqipëria ka kryesuar këtë herë Konferencën e 5-të e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, i cili është mbledhur dje në një takim në Tiranë, për të diskutuar mbi mënyrat alternative të përfitimit të saj. Shqipëria e ushtron përgjegjësinë si Presidente e këtij Këshilli që nga muaji korrik 2008 dhe e përfundon atë më 31 dhjetor të këtij viti. Ndër temat më të rëndësishme që janë diskutuar aty ishin zbatimi i “Traktatit të energjisë” dhe progresi i arritur nga vendet anëtare, si dhe kapacitetet transmetuese të energjisë dhe mundësia e ngritjes së një qendre rajonale për alokimin e tyre përmes ankandeve. Gjithashtu është diskutuar edhe mbi sigurinë e furnizimit me energji të konsumatorëve, investimet në infrastrukturat energjetike, eficencën e energjisë, dimensionin social të Komunitetit të Energjisë, si dhe përfshirjen e sektorit të naftës në axhendën e “Traktatit të energjisë”. Në të morën pjesë ministra, sekretarë shteti, zëvendësministra nga vendet kontraktuese. Aktualisht pjesëmarrëse në të janë: Austria, Bullgaria, Çekia, Franca, Greqia, Gjermania, Hungaria, Italia, Qiproja, Sllovakia, Mbretëria e Bashkuar. Ndërsa vende vëzhguese të Traktatit janë: Gjeorgjia, Moldavia, Norvegjia, Turqia, Ukraina. Statusin e vendit vëzhgues mund ta fitojnë edhe vende të tjera, kundrejt miratimit të kërkesës së tyre.
Si funksionon Komuniteti
Institucionet e Komunitetit të Energjisë janë: Këshilli i Ministrave, që ka në përbërje ministrat e Energjisë nga vendet kontraktuese; Bordi i Rregullatorëve; Forumi i Energjisë, që organizohet për energjinë elektrike në Athinë dhe për gazin natyror në Lubjanë (Slloveni); Sekretariati i Komunitetit të Energjisë i ngritur në Vjenë, që siguron mbështetje administrative dhe ekspertizë për Këshillin e Ministrave, Grupin e Përhershëm të Nivelit të Lartë, Bordin e Rregullatorëve, si dhe të dy Forumeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror. Këshilli i Ministrave mblidhet dy herë në vit, respektivisht në vendin kontraktues që ka kryesimin e radhës në çdo 6 muaj. Mbledhjet e tij përgatiten nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, nën drejtimin e Presidencës së radhës, e cila asistohet nga një përfaqësues i Bashkimit Europian (Komisioni Europian). Këshilli i Ministrave, nëpërmjet veprimtarisë dhe vendimeve të tij, siguron realizimin e objektivave të Traktatit. Traktati për krijimin e Komunitetit të Energjisë, që përfshin energjinë elektrike dhe gazin natyror, u nënshkrua më 25 tetor 2005 në Athinë (Greqi) dhe hyri në fuqi më 1 korrik 2006 me ratifikimin e saj nga vendet kontraktuese, si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bashkimi Europian.
Energjia, ministri Ruli parashtron projektet e qeverisë
Në mbledhjen ministrore të Komitetit të Energjisë pas shqyrtimit të projekteve, të cilat do të zhvillojnë ekonominë energjetike në vend, u morën edhe vendime të tjera. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, parashtroi listën e projekteve, të cilat u analizuan për t’u bërë në Shqipëri. Sipas Rulit, objektivat që Ministria e Ekonomisë do të këtë tani janë linjat e koncesionit Kosovë-Maqedoni-Itali, hidrocentrali i Skavicës dhe Devollit si dhe TEC-in me qymyr, produktet e të cilit do të përdoren për import. Fabricio Barbaso, si përfaqësues i Komitetit Europian, vlerësoi vendimet e marra në takimin e zhvilluar dhe sugjeroi zhvillimin e njëjtë të kuadrit ligjor me vendet e BE-së nga shtetet që ndajnë energjinë me të si kusht për të tërhequr investitorët. Ndërkohë që Slavtcho Neykov, përfaqësues i Sekretariatit të Komisionit Europian, nga zhvillimet ekonomike në Shqipëri vlerësoi më shumë perspektivën që u është dhënë tregjeve që nuk janë shumë të zhvilluara, siç është ai i gazit.
Plani i BE-së, Ballkani, rajoni kryesor i prodhimit të energjisë në kontinent
Përfaqësuesi i Bashkimit Europian, njëkohësisht edhe ministër i Mjedisit dhe Ekonomisë së Francës, Pierre Marie Abadie, deklaroi dje në Tiranë mbështetjen për Komunitetin Energjetik për diversifikimin e burimeve, por edhe krijimin e korridorit të gazit për Europën Juglindore. Deklarata e tij u bë gjatë punimeve të Konferencës së 5-të të Komunitetit të Energjisë. Abadie u shpreh se "vendet e këtij komuniteti kanë lidhje të forta me njëra-tjetrën dhe nuk mund ta shikojmë të ardhmen pa vendet e Ballkanit". Sipas tij, "diversifikimi i burimeve ujore është një objektiv strategjik, siç është shpjeguar tashmë, por edhe krijimi i një korridori gazi për Europën Juglindore mbetet prioritet si për BE-në, ashtu edhe për Komunitetin e Energjisë”. Ai shtoi se "BE-ja dhe Franca në veçanti do të mbeten aktive në bashkëpunimin me Komunitetin e Energjisë”. Sipas tij, energjia është një ndër elementet më të rëndësishme të Presidencës Franceze, ndërsa shtoi se, "ne jemi të mendimit se politikat energjetike kanë nevojë për bashkëpunim përtej kufirit europian”. Duke vlerësuar punën e Komunitetit të Energjisë, Abadie u shpreh se politikat energjetike të KE-së kanë objektiva që kanë të bëjnë me konkurrencën, qëndrueshmërinë dhe sigurinë. Abadie kërkoi të krijohet një plan veprimi për politikat energjetike të BE-së. "Jam i bindur se këto politika do të jenë edhe prioritete të kolegëve tanë çekë, pasi siguria energjetike është një çështje e përbashkët për të gjithë Europën", - vijoi Abadie. Ai tha gjithashtu se tregjet europiane të energjisë elektrike janë të lidhura me njëra-tjetrën. Duke u ndalur në këtë aspekt përfaqësuesi i BE-së u shpreh se "nafta edhe gazi kalojnë nga një vend në tjetrin dhe për këtë ka shumë rëndësi alokimi më i mirë i burimeve energjetike, për të zbutur raste të ndryshme që vijnë si rrjedhojë e mungesës së energjisë elektrike. Në këto kushte, mekanizmat e solidaritetit mund të ndihmojnë për të çuar përpara procesin". Duke theksuar ndihmën e institucioneve ndërkombëtare financiare në drejtim të produkteve të reja në transport dhe infrastrukturë, Abadie nënvizoi se në të ardhmen kërkohet një lloj fleksibiliteti, hap i cili do të ndikonte ndjeshëm në përmirësimin e efikasitetit të energjisë elektrike, në sektorë të transportit dhe në ndërtim, siç janë ndriçimi dhe konsumi familjar. "Financimi i këtyre masave afatgjata është një sfidë e madhe për të gjithë ne, sidomos në kuadrin e krizës aktuale ekonomike, të cilën ne duhet ta kthejmë në një mundësi për rritje ekonomike", - tha Abadie.
12 Dhjetor 2008