E Diel, 1 Nëntor 2026

Vranë një grua, prangosen pas 11 vjetësh Bujar Buci dhe bashkëpunëtori i tij



TIRANË - Zbardhet pas 11 vjetësh një vrasje e ndodhur në vitin 1997. Dy shtetas, të moshës 41 dhe 44 vjeç, dyshohet të jenë autorë të vrasjes së një shtetaseje në vitin 1997. Ata janë arrestuar nga strukturat e Komisariatit të Policisë së Matit. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive gjakmarrjeje. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur dje për gazetën se po vijohet me zbardhjen e ngjarjeve të vjetra, të ndodhura vite më parë.
Operacioni
Drejtoria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me forcat e policisë së Komisariatit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Matit, përfunduan operacionin “Kujtesa” duke bërë të mundur ndalimin e shtetasve Bujar Buci dhe Ismet Karaj, të dy të lindur dhe banues në Mat. Sipas këtyre burimeve, këta shtetas, më 22 qershor të vitit 1997, në fshatin Vig të Matit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë për motive gjakmarrjeje shtetasen Zinete Buci, pasi katër ditë para kësaj ngjarjeje kjo shtetase ka vrarë me armë zjarri bashkëshortin e saj, Rustem Buci. Vazhdojnë veprimet procedurale nga ana e Prokurorisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që po punohet për kapjen e shtetasit Rifat Buci, 53 vjeç, i shpallur në kërkim, si bashkautor në këtë krim. Nga hetimet ka rezultuar se vrasja është kryer për motive gjakmarrjeje, pasi më datë 18 qershor 1997 viktima Zinete Buci ka vrarë me armë zjarri në banesën e saj, në qytetin e Burrelit, bashkëshortin Rustem Buci.
Dosjet e vjetra
Janë 328 dosje të rënda kriminale, të “protokolluara” vetëm në vitin 1997. Sot, 11 vjet më pas, disa prej tyre janë mbyllur për arsye se personat që kanë qenë të përfshirë në aktet kriminale janë vrarë më pas nga hakmarrja mes grupeve rivale. Sot, nga këto dosje, vetëm 109 dosje, me rreth 1000 fashikuj dhe mbi 10 mijë fletë të shkruara për këtë 10-vjeçar të fundit, ende nuk janë mbyllur. Burime nga policia pohojnë se ende ka punë për t’u bërë në zbulimin dhe vënien nën pranga të autorëve të vitit 1997, shumica prej të cilëve ndodhen të larguar jashtë shtetit. Ndërkohë, lidhja me Interpolin ka ngushtuar rrethin e personave në kërkim për ngjarjet e vitit 1997. Paradoksi në moszbardhjen e këtyre dosjeve qëndron edhe në faktin se familjarët e viktimave të vitit të mbrapshtë kanë hezituar për të bërë një denoncim ndërsa ka pasur familjarë që nuk kanë dashur të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë. Thuajse të tilla mendime ka pasur edhe nga vetë viktimat e torturuara gjatë atij viti nga pjesëtarët e bandave.

12 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›