Gjykata: Procesi për bandën e Durrësit, tani dy herë në javë
Tiranë - Procesi gjyqësor ndaj bandës së Durrësit do të zhvillohet dy herë në javë. Ky vendim u mor dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila ka pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë për zhvillimin dy herë në javë të seancave në ngarkim të të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Lulzim Berisha.
Ky vendim erdhi pas dështimeve të shpeshta të seancave gjyqësore shpesh herë për shkak të mungesës së përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore të të pandehurve në gjykatë. Në cilësinë e të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit, Prokuroria ka marrë 16 persona që akuzohen për disa episode të rënda kriminale, ndër të cilat edhe disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës. Sipas të dhënave të Prokurorisë, banda e Durrësit në fillimet e saj drejtohej nga i pandehuri Lulzim Berisha. Më pas, me kalimin e kohës, anëtarët e saj u përfshinë në konflikte me njëri- tjetrin, duke krijuar grupe rivale. Shumë prej të akuzuarve janë arrestuar në vitet e fundit nga forcat e policisë së shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila për disa vite hetoi çështjen penale ndaj tyre.
Projekti “ILECU” do të përfshijë edhe Ministrinë e Drejtësisë
TIRANË - Projekti ILECU-s (International Law Enforcement Coordination Unit) synon bashkëpunimin, koordinimin e punës së institucioneve të zbatimit të ligjit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi përmes projektit ILECU-s synon të përfshijë edhe disa struktura të tjera si sistemin gjyqësor, ministrinë e Drejtësisë, të Financave, etj. Projekti ILECU-s është nismë e BE-së, që përfshin Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnje-Hercegovinën, Serbinë dhe Kroacinë. Ai synon të rrisë më shumë bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit në luftën kundër krimit të organizuar. Projekti do të bëjë të mundur shkëmbimin e informacioneve në një kohë reale për të rritur goditjen ndaj krimit të organizuar, trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore etj. Gjithashtu, ky projekt do të përfshijë në bashkëpunim edhe sistemin gjyqësor, doganat, institucione të tjera, etj. Në një takim të zhvilluar në Vjenë (Austri), dy ditë më parë, nën drejtimin e ministres së Brendshme të Austrisë, Maria Feker, mori pjesë edhe zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri. Sipas tij, “qeveria shqiptare është e gatshme të implementojë projektin ILECU-s, duke vënë në dispozicion të tij ekspertët më të mirë. Implementimi i këtij projekti do të ndihmojë vendet e Ballkanit që të adresojnë më mirë sfidat e të sotmes, të ndërtojnë më mirë të ardhmen e tyre me pikësynimin evropian, por mbi të gjitha të largohen nga armiqësitë, konfliktet dhe mentaliteti i së shkuarës”. Bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me policitë homologe e tregojnë edhe rezultatet e punës së policisë, ku disa nga operacionet më të suksesshme janë zhvilluar falë shkëmbimit të informacioneve. Gjatë këtij viti, nga policia e shtetit janë realizuar 13 operacione ndërkombëtare në bashkëpunim me prokurorinë dhe autoritetet gjyqësore të vendeve të ndryshme. Prej tyre, tetë operacione janë realizuar me Italinë, 1 me Greqinë, 3 me Gjermaninë, 1 i përbashkët me SHBA-në dhe Gjermaninë, ku janë arrestuar 19 persona.
12 Dhjetor 2008