Shpërblimi që do të marrin gjyqtarët dhe administrata e Gjyqësorit
Laureta Rryçi
Tiranë - Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor ka përcaktuar shpërblime për gjyqtarët dhe administratën e Gjyqësorit me rastin e festave të fundvitit. Burime zyrtare pranë kësaj zyre pohuan dje për gazetën “Albania” se këtë vit gjyqtarët dhe administrata, përveçse do t’i gëzohen 10 mijë lekëshit, do të kenë edhe një shpërblim plus. Më konkretisht; mësuam se ekziston një fond prej 5 përqindësh, që do të shpërndahet sipas të dhënave që do të japin titullarët nëpër gjykata. Për punonjësin e administratës më korrekt dhe për gjyqtarët që kanë punuar me volum të konsiderueshëm dosjesh do të ketë shpërblim tjetër, përveç 10 mijë lekëshit.
Shpërblimi
Gjyqtarët dhe administrata e Gjyqësorit janë pjesë e përfituesve të vendimit të djeshëm të qeverisë për shpërblimet. Shpërblimi i tyre do të jepet nga Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, e cila, përveç 10 mijë lekëshit, ka vënë në dispozicion edhe një fond tjetër që do të jetë për “shembullorët”. Ky fond është menduar të shpërndahet në varësi të të dhënave që do të japin drejtuesit e gjykatave. Kjo për shkak se kanë një informacion më të gjerë për punonjësit e gjykatave që ata drejtojnë. Kësisoj, shpërblimi plus si për gjyqtarët, ashtu edhe për administratën, ku përfshihen sekretare, arkiviste, shoferët etj., do të varen nga kryetari i gjykatës.
Administrata
Burime pranë ZABGJ-së shpjeguan dje se edhe për administratën në të gjitha gjykatat do të ndiqet e njëjta procedurë. Me gjithë propozimet për ndryshimin e statusit për këtë kategori punonjësish, sërish ata nuk mund të përfitojnë njëlloj si e gjithë administrata publike. Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë ende nuk ka marrë formën e ligjit dhe për rrjedhojë edhe këtë vit ata nuk mund t’i marrin përfitimet që rrjedhin prej statusit të nëpunësit civil. Nëse do ta kishin përfituar këtë status, atëherë shpërblimi do t’u llogaritej në bazë të pagës totale që ka marrë individi gjatë vitit të vlerësimit. Personat që ishin emëruar ose ngritur në detyrë gjatë vitit të vlerësimit do të merrnin një shpërblim që reflektonte periudhën e tyre të punës, në rast të emërimeve të reja dhe të pagave të niveleve të ndryshme që kanë marrë në rastet e ngritjeve në detyrë. Nëpunësit që pushohen nga puna para fundit të tetorit nuk përfshihen në shpërblimet për mbarëvajtjen në punë. Ata nëpunës që dalin në pension, që japin dorëheqje, transferohen në një strukturë tjetër të administratës shtetërore ose kalojnë në listë-pritjeje marrin shpërblim.
12 Dhjetor 2008