E Diel, 1 Nëntor 2026

Eagle Mobile sjell në Shqipëri Goran Bregoviç dhe Laurent Wolf

Kompania Eagle Mobile vazhdon të mahnitë abonentët me surpriza pafund. Kompania sjell në dy netët e "Eagle Summer Nights" në kompleksin "Tropikal" të plazhit të Durrësit, tingujt mahnitës të Goran Bregoviç dhe performancën e shkëlqyer të Laurent Wolf. Dy këngëtarët do të performojnë në Durrës më 8 dhe 9 gusht në kompleksin "Tropikal".

Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, Eagle Mobile, duke sjellë dy artistë jo shumë të ngjashëm në profil muzikor, por të dy të pëlqyer nga kategori të ndryshme të publikut, dëshmon edhe një herë se u kushton vëmendje dhe kujdes të veçantë abonentëve të saj rinorë. Rinia shqiptare do të përjetojë dy net të vërteta festive nën tingujt ballkanikë dhe ritmet e kompozitorit të mirënjohur në Europë dhe më gjerë, Goran Bregoviç, i cili rikthehet pas tre vjetësh në Shqipëri. Bregoviç vjen për të performuar krijimet e tij më të mira, si "Maki, maki", "Policia", "Underground Tango", "Hop, hop, hop" etj. Ndërkaq, jo më pak e rëndësishme pritet të jetë paraqitja e Laurent Wolf i njohur si producent i Triba-House dhe DJ i disa hiteve mjaft të dëgjuara ngado në diskotekat botërore. Wolf, me kompozimet e tij si "Saxo" apo "Calinda", ka qëndruar për një kohë të gjatë në majë të klasifikimeve. Në vitin 2008 ai arriti suksesin më të madh, duke fituar çmimin DJ më i mirë i "World Music Awards‘ në Monako. Vlen të përmendet që hiti i tij "No stress" ka qëndruar në top-listën franceze.

Abonentët Eagle mund të dërgojnë një SMS që kushton vetëm 9 lekë në numrin 15189, duke shkruar emrin, mbiemrin dhe moshën, për të pasur mundësinë të marrin 2 bileta falas, që janë të vlefshme për dy netët. Përzgjedhja elektronike e 1000 fituesve do të bëhet më datë 3 Gusht 2009. Të gjithë fituesit do të njoftohen me nga një SMS, dhe do të informohen për vendin dhe orarin e tërheqjes së biletave në një njoftim që do të botohet në gazetat ditore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›