Vlorë, shiu i verës tremb pushuesit
Gjatë gjithë natës dhe deri dje në orët e para të mëngjesit, qyteti i Vlorës është zgjuar mes bubullimash dhe reshjesh të dendura të shiut. Pushuesit të cilët kanë zgjedhur që muajin korrik t‘i kalojnë pushimet në Vlorë, janë trembur nga ndryshimi i menjëhershëm i kohës dhe të mbyllen në hotelet ose shtëpitë që kanë marrë me qira. Përmirësimi i motit gjatë orëve të pasdites ka bërë që plazhi i mbetur bosh, të gjallërohet nga pushuesit e shumtë, të cilët kanë përfituar nga orët e mbetura për të shijuar rrezet e diellit. Por veç kapriçove të motit, turistëve që kanë preferuar zonën e Ujit të Ftohtë për të pushuar, u është dashur të përballen dhe me mungesën e energjisë elektrike. Në këtë zonë, qysh prej javës së parë të korrikut, mungon furnizimi me drita, energji elektrike. Ndonëse ishte premtuar, që gjatë sezonit turistik, furnizimi me drita dhe ujë të pijshëm do garantohej për 24 orë, energjia elektrike mbetet problem për zonën e Vlorës.