E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza 8-vjeçe, jashtë rrezikut për jetën

Klodiana Shkoza, vogëlushja e plagosur rëndë në tragjedinë e Ersekës, ka dalë nga gjendja kritike për jetën. Shëndeti i 8-vjeçares është përmirësuar ndjeshëm pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, megjithatë ajo vazhdon të mbetet e traumatizuar. Vajza thotë se nuk mban mend çfarë ka ndodhur, ndërkohë që ndonëse e shtruar në ambientet e spitalit dhe nën kujdesin e personelit mjekësor, ajo vazhdon të jetë e terrorizuar. Të afërmit e Klodiana Shkozës nuk ishin pranë saj mëngjesin e së shtunës në spital, gjë që ka ndikuar negativisht në gjendjen e saj emocionale. Ndërsa është përmendur pas operacionit, vajza 8-vjeçare e tronditur nga ajo që ka ndodhur me kushërinjtë e saj, derdh vetëm lot, ndërkohë që thotë se ka frikë për shëndetin e saj në vijimësi, duke shfaqur shenja të një traume të rëndë psikike. Vogëlushja po mbahet nën trajtim mjekësor për shkak të plagëve të shumta që ka marrë në kokë dhe në trup, kur sipas mjekëve të spitalit gjendja e saj ka qenë më e rëndë krahasuar me të plagosurit e tjerë. Edhe pse mjekët nuk i kanë dhënë fillimisht shpresa për jetën, vajza që nuk reagonte as pas operacionit, është përmendur natën e së shtunës. Ajo nuk ka mundësi që të flasë dhe tregojë për atë që ka ndodhur brenda në magazinën e grumbullimit të drithit. E gjendur vetëm dhe pa të afërmit, vajza përgjigjet se nuk mban mend asgjë, por pohon se ka dhimbje të vazhdueshme. Sipas bluzave të bardha pritet që shëndeti i saj të përmirësohet nga dita në ditë dhe 8-vjeçarja do t‘i nënshtrohet regjimit spitalor edhe për disa ditë të tjera. Ajo do të mbahet në spital, derisa gjendja e saj të jetë krejtësisht e stabilizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›