E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, Pango shkarkohet me 100 vota

 

Kuvendi shpreh vullnet të plotë për të shkarkuar pa rezerva deputetin e PD-së, Ylli Pango nga posti i Ministrit të Kulturës. Të djathtët e të majtët votuan unanimisht pro shkarkimit të Ylli Pangos, si Ministër i Kulturës. Pozita dhe opozita bashkuan votat duke u shprehur totalisht pro dekretit të Presidentit Topit. Pro shkarkimit të tij votuan 100 deputetë, duke mos pasur asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Kryetarja e Kuvendit, Topalli hodhi për votim fillimisht dekretin e Presidentit Topi për shkarkimin e Pangos. Pas këtij votimi, në dekretin e dytë për emërimin në postin e Ministrit të Kulturës, të Ardian Turkut, maxhoranca dhe opozita janë ndarë në pozicionet e tyre. Pro kandidaturës së Turkut kanë votuar 72 deputetë të Kuvendit, ndërsa 26 prej tyre votuan kundër, ndërsa vetëm një votë ishte abstenuese. Votat pro kanë qenë nga të gjitha partitë e maxhorancës, PDK, PR, PAA dhe PBDNJ. Ndërsa pro kësaj kandidature votoi dhe Grupi Parlamentar i Qendrës, me deputetët Paulin Stërkaj, Durim Hushi dhe Hamit Kosta. Demokristianët, dhe pse të mënjanuar nga qeverisja, kanë preferuar të mbështesin këtë kandidaturë të paraqitur nga ana e qeverisë për Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. E vetmja votë abstenuese ka ardhur nga deputetja e opozitës, Angjelina Kola. Në votimin e dekreteve ka qenë një pjesë e mirë e ministrave të kabinetit qeveritar. Në këtë seancë votimi ka munguar Kryeministri Sali Berisha. Ministri i ri Turku ka mbajtur aktualisht postin e kreut të këshillit të qarkut të Elbasanit. Më parë i porsazgjedhuri u zgjodh si Kryetar i Bashkisë së Elbasanit. Ndërsa vjen nga bota akademike me profesionin e psikologut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›