E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, kredi për për të paguar detyrimet

 

fabiola Çela

Kush nuk ka para për të paguar detyrimet e legalizimit, do të ndihmohet me kredi nga bankat. Lajmin e dha dje kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, gjatë ceremonisë për ndarjen e tapive për shtesat në pallate në Tiranë. “Ne kemi parashikuar në aktet ligjore edhe mundësinë e kreditimit dhe praktikisht jemi duke punuar me sistemin bankar dhe me kompanitë, të cilat ofrojnë kredi dhe besoj që gjatë këtyre ditëve ne do ta konkretizojmë. Ne kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi në këtë drejtim me këto banka dhe shpresojmë që shumë shpejt të konkretizojmë edhe kontratat e para të kreditimit për ato familje, të cilat nuk kanë kapacitete financiare”.
Sa është numri i pallateve të legalizuara nga ALUIZNI deri më tani?
Ne, praktikisht kemi përpunuar të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor për dy të tretat e kësaj pasurie. Njëkohësisht sot (dje) kemi lëvruar dokumentacionin teknik dhe ligjor, ose lejet e legalizimit për 151 pallate, që janë pallatet më të mëdha të qytetit të Tiranës dhe për shkak të këtyre shtesave një sipërfaqe ndërtimore prej 660 mijë m2 ka qenë jashtë tregut dhe që nuk gjeneronte. Kjo, pasi shtesat e kthyera në një ndërtim informal, duke i llogaritur me një kosto minimale prej 300 euro, nga një kapital i vdekur sot i fusim në treg dhe kapin një vlerë mbi 2 miliardë euro. Nga ana tjetër, duke e parë në raport me numrin e apartamenteve që janë pasuri familjare e strukturave në funksion social-ekonomik dhe garazheve janë 6200 apartamente. Sot mbi 6200 familjeve u ligjërohet pasuria e tyre. Aktualisht ne kemi filluar procedurat e regjistrimit dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër të përcaktuar në ligj ata do të kenë mundësi ta shesin, ta blejnë, ta përdorin si kolateral, padyshim që në treg do të gjenerojë për ekonomitë e tyre, për ekonominë e qytetit dhe për ekonominë e vendit. Njëkohësisht sillet një hap shumë i rëndësishëm në stabilizimin e të drejtës së pronësisë.
Në rast se qytetarët nuk kanë mundësi për të paguar detyrimet financiare, a e keni shikuar si mundësi lëvrimin e kredive lehtësuese për kategori të tilla? Keni filluar lidhjen e marrëveshjeve me bankat?
Detyrimi financiar që kanë qytetarët për të paguar është detyrim që në raport me tregun është i papërfillshëm dhe është një vlerë relativisht e vogël, që shkon 4-6 milionë lekë të vjetra. Njëkohësisht, për kalimin e pronësisë ose të parcelës ndërtimore, ose në rastet kur e shlyen do të ketë një bonus në masën 20% ulje. Ne kemi parashikuar në aktet ligjore edhe mundësinë e kreditimit dhe praktikisht jemi duke punuar me sistemin bankar dhe me kompanitë, të cilat ofrojnë kredi dhe besoj që gjatë këtyre ditëve ne do ta konkretizojmë. Ne kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi në këtë drejtim me këto banka dhe shpresojmë që shumë shpejt të konkretizojmë edhe kontratat e para të kreditimit për ato familje, të cilat nuk kanë kapacitete financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›