Eagle Mobile, vetëm 1 vjeç, me shumë risi dhe surpriza për shqiptarët
Tiranë - Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, Eagle Mobile, ka shënuar 1-vjetorin e hyrjes në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Me një ceremoni të thjeshtë, kompania që solli ndryshimin në Shqipëri do të vazhdojë të sjellë risi dhe mundësi për të gjithë qytetarët shqiptarë. Në një komunikim me mediat, drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Ali Taskin, u shpreh se të gjithë qytetarët e kanë ndier ardhjen e Eagle Mobile që nga 12 marsi i vitit të kaluar. “Ne themeluam dhe ngritëm në këmbë një markë, një markë shqiptare, e cila kapi suksesin në një kohë rekord. Që nga mbulimi e deri te tarifat, që nga risitë teknologjike e deri te çmimet shumë të arsyeshme, Eagle Mobile u dha përgjigje kërkesave të shoqërisë shqiptare”, - tha Taskin në fjalën e tij. Ai shtoi se kjo kompani zotëron tashmë rreth 13 për qind të tregut të telefonisë celulare në Shqipëri me rreth 385 mijë abonentë në të gjithë vendin, të cilëve u ofrohen shërbime në 35 dyqanet e kompanisë.
Eagle Mobile ul çmimet
Kompania më e re e telefonisë celulare vazhdon të sjellë çmime dhe tarifa tërheqëse dhe të arsyeshme për abonentët shqiptarë. Tashmë abonentët e Eagle Mobile mund të flasin me çmime shumë të ulëta deri në 50 për qind me numrat ndërkombëtarë dhe kundrejt operatorëve të tjerë celularë në vend. Eagle Mobile ka lançuar dhe dy tarifa të reja të programit Proring. “Proring Corporate” dhe “Proring Bussines”, të cilat sjellin 6 oferta gjithsej. Këto dy oferta të reja sjellin mundësi të reja për bizneset e korporatat duke u dhënë të drejtën e përzgjedhjes së ofertës ekonomike më të mirë për ta. Po ashtu, tarifa rinore Riniring ka ulur edhe më tej çmimet e komunikimit kundrejt operatorëve të tjerë celularë. Kjo do ta bëjë edhe më të kërkuar këtë tarifë që theu të gjitha parashikimet dhe tërhoqi qindra mijëra abonentë. Tarifa standarde me parapagesë (rimbushje) ka sjellë tashmë një tarifë për të gjitha thirrjet. Çdo abonent me një numër Eagle me parapagesë standarde, mund të flasë për 25 lekë për minutë kundrejt të gjithë operatorëve celularë, fiks dhe atyre ndërkombëtarë. Një risi e shtuar rishtas ka qenë dhe portali i argëtimit Eagle Mobile. Për herë të parë në Shqipëri një kompani celulare sjell nocionin e Shërbimeve të Vlerës së Shtuar si shërbim i internetit, televizioni në celular, lajmet dhe padyshim një faqe kushtuar tërësisht argëtimit. Të gjithë abonentët Eagle mund të kenë tashmë zonën e tyre të argëtimit në portalin www.eaglezone.al.
13 Mars 2009