Hisarciklioglu: “Bota është përfshirë në krizën më të vështirë”
“Ekonomia globale është përfshirë në krizën më të vështirë të ndodhur ndonjëherë”. Kështu ka deklaruar dje presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Bursave të Turqisë, Rifat Hisarciklioglu, gjatë Asamblesë së Dhomave Ballkanike të Tregtisë, që zhvilloi punimet në Tiranë. Ai ka theksuar se, "përballë kësaj krize nuk dihet se cila është pika e fortë e shpëtimit dhe për më tepër nuk dihet fundi i saj". Sipas tij, "vendet e zhvilluara të BE-së nga fillimi i viteve 2000 e deri tani kanë një rënie të theksuar të GDP-së. Franca, Italia, Greqia etj. kanë një minus të madh në ekonomitë e tyre. Tkurrje të ekonomisë kanë pësuar edhe vende si Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia etj. Kriza do të prekë edhe Ballkanin, por do të jetë e vogël dhe e papërfillshme në krahasim me shtetet e tjera”, - tha ai.
Mali i Zi - Shqipëri, kërkohet liberalizim i tregtisë
“Liberalizim i tregut dhe intensifikim i marrëdhënieve tregtare”, - kjo ishte kërkesa gjatë takimit të djeshëm të dy kryetarëve të Dhomave të Tregtisë të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Bashkëpunimi mes dy vendeve shihet si i dobishëm kur rajoni po përballet me krizën. Në takimin që kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjokë Uldedaj, pati me homologun e tij nga Mali i Zi, Vladimir Mijuskoviç, si dhe me nënkryetarin Branko Vukmanoviç, është folur për rritjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar midis dy vendeve. Kryetarët e Dhomave të Tregtisë vunë theksin në liberalizimin e tregtisë midis vendeve të rajonit, e parë kjo si një nga instrumentet e rëndësishme për të zbutur impaktet e krizës globale.
13 Mars 2009