Ec e nisja punës
Kremtimet për festën e Vitit të Ri kanë përfunduar. Kanë kaluar tri ditë nga ndërrimi i moteve dhe gjithçka është normalizuar. Por kjo vlen vetëm për qytetarët, sepse institucionet e shtetit e kanë vazhduar edhe më tej qejfin e tyre.
Nata e ndërrimit të viteve, ishte ndërmjet së premtes dhe të shtunës. Që nga ajo kohë, e deri ditën e martë, në të gjitha këto institucione, si komunat, Qeveria, ministritë dhe bankat, dyert ishin të mbyllura. Deri në mëngjesin e së mërkurës, askush nuk punoi, edhe nëse dikush ka diçka me rëndësi për të kryer në ndonjërin nga këto institucione.
Kjo ndodh për shkak se në natën e Vitit të Ri, të gjithë kanë punuar. Kurse dy ditët e pushimit të kësaj feste, të përcaktuara në Ligjin e festave zyrtare në Kosovë, kanë qëlluar ditë pushimi të javës.
Por sipas Ligjit për festat zyrtare në Kosovë, neni 4 i tij, “kur ditët e festave zyrtare të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”.
E përveç ditës së hënë dhe të martë, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën të mërkurën dhe të enjten, për të vazhduar sërish pushimin e tyre ditën e premte, për Krishtlindjet Ortodokse. Pastaj e shtuna dhe e diela, prapë janë ditë pushimi.
Ditët e pushimeve të njëpasnjëshme u kanë konvenuar punonjësve të institucioneve, por u ka nxjerrë shumë telashe qytetarëve. Njëri ndër ta është Masar Gërguri, i cili jeton në Zvicër. Ai ka bërë plan për ta shfrytëzuar pushimin e tij, për të ardhur nga vendi ku jeton, e për t’i nxjerrë edhe disa dokumente të Kosovës. Megjithatë, plani i tij ka dështuar.
Ai është zgjuar mëngjesin e së hënës, është nisur drejt Komunës së Prishtinës për ta nxjerrë certifikatën e lindjes dhe disa dokumente të tjera, që i duheshin për letërnjoftimin e ri të Kosovës. “Unë të mërkurën në mëngjes nisem për në Zvicër. Edhe kësaj radhe mbeta pa dokumente, sepse askush nuk po punonte në Komunë”, pohon Gërguri për Express.
Ministria, e cila është përgjegjëse t’i publikojë njoftimet për vendimet e ditëve në të cilat nuk punohet, është ajo e Administratës Publike (MAP). Në faqen zyrtare të kësaj ministrie, si ditë pushimi janë paraparë datat 3 dhe 4 janar.
Visar Xani, zëdhënës i MAP-it, thotë se kjo ministri bën vetëm publikimin e kalendarit të festave zyrtare të Kosovës. “Është Komisioni republikan i cili përcakton kalendarin e festave zyrtare. Ne vetëm i njoftojmë shërbyesit civilë, për ditët që nuk punohet gjatë këtyre festave”, tregon Xani për Express.
Përveç disa shteteve të tjera, edhe Shqipëria, shteti më afër vendit tonë, ka bërë ndryshim të ligjit për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimeve në institucionet shtetërore. Në bazë të këtij ndryshimi, përcaktohet qartë se kur festat zyrtare bien ditë pushimi, ato nuk do të zhvendosen. Sipas Ligjit të punës në shtetin shqiptar, e hëna do të bëhet punë, por me një shtesë page prej 225 për qind.
Ditët e festave zyrtare
a) 3 dhe 4 janar - Festa e Vitit të Ri
b) 17 shkurt - Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës
c) 9 prill- Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
d) 1 maj - Dita Ndërkombëtare e Punës
e) 9 maj - Dita e Evropës
f) 30 gusht- Dita e parë e Bajramit të Madh
g) 6 nëntor- Dita e parë e Bajramit të Vogël
h) 25 dhjetor- Krishtlindjet Katolike
i) 7 janar- Krishtlindjet Ortodokse
j) 24 prill - Pashkët Katolike
k) 24 prilli - Pashkët Ortodokse