E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhiro me “Benz” pas ballos, vdes në aksident maturanti

• Shpejtësia me makinë pas ballos së fundvitit i merr jetën maturantit.VLORE / QEMAL BIRAKUErgys Isai, 18 vjeç, i cili ndodhej në vendin e pasagjerit në makinën "Benz Elegance" është aksidentuar për vdekje pak pas mesnatës së të mërkurës, ndërsa ka shpëtuar shoferi 17-vjeçar.Pasojat e përplasjes fatale janë vënë re vetëm kur është zbardhur dita e djeshme. Një tabelë e madhe reklame është shembur, ndërsa makina ka fluturuar disa metra më larg. Ngjarja e rëndë ndodhi sipas policisë, rreth orës 01:30, në aksin rrugor Vlorë-Uji i Ftohtë. Makina me targë VL 9344, e drejtuar nga Mariglen Dhima mësohet se është përplasur fillimisht me bordurën e trotuarit në vendin e quajtur "Rrapi" e më pas me tabelën e hekurit. Udhëtarë të rastësishëm kanë parë skenën e aksidentit dhe menjëherë kanë shkuar në vendin, ku pas disa saltove makina përfundoi e dëmtuar plotësisht. Ata kanë nxjerrë dy të rinjtë prej saj, duke i dërguar me shpejtësi në urgjencën e spitalit, por mjekët kanë pohuar se Isai kishte ndërruar jetë pa mbërritur aty. Ndërsa Dhima, pas marrjes së mjekimit në mesditë ka dalë nga spitali, duke u shoqëruar për në komisariatin e policisë. Sipas policisë së Vlorës, 17-vjeçari është ndaluar me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, drejtimin e mjetit pa patentë dhe në gjendje të alkoolizuar. Nga hetimi i ngjarjes ka rezultuar se dy djemtë, nxënës të shkollës private "Aulona", kishin festuar bashkë me klasën e tyre në një ballo, tradicionale në prag të Vitit të Ri. Pas daljes nga ambienti festiv, ata kanë hipur në makinën, të cilën 17-vjeçari ia kishte marrë një të afërmi të tij. Ata kanë bërë një xhiro deri në afërsi të Ujit të Ftohtë dhe do të ktheheshin pas. Por, në kthim, nga shpejtësia mjeti ka dalë nga rruga duke kryer dhe përplasjet fatale. Nga ekspertët, makina ka pasur shpejtësi prej rreth 120 km/orë dhe ka qenë e lehtë dalja nga kontrolli e drejtimit të saj. Një vit më parë një tjetër aksident i rëndë u shënua pas përfundimit të ballos së maturantëve. Dy makina u përplasën mes tyre në mesnatë, duke shkaktuar një të vdekur e disa të plagosur. Në të dy rastet policia pohoi se drejtuesit e mjeteve kanë qenë të alkoolizuar, nisur nga mosha e tyre. Makina e aksidentit të djeshëm ka qëndruar për disa orë në vendngjarje, deri në kryerjen e ekspertizës së plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›