E Diel, 1 Nëntor 2026

Edal “shet” pushimet për 50 vjet

09/04/2005  Pushimet mund të bëhen brenda vendit për gjashtë javë në vit

“Edal Tourist” ka lançuar në treg formulën e re të pushimeve. Tashmë, ata që nuk kanë buxhetin e mjaftueshëm për të blerë një shtëpi pushimi në pikat turistike, për t’i patur të garantuara pushimet për gjithë jetën, mund të ketë të garantuar pushimet për 50 vjet. Kështu, gjashtë javë pushime në vit për 50 vjet me radhë në të gjitha pikat ku “Edal Turist” ka qendrat e veta, është propozimi më i fundit që “Edal” u ofron qytetarëve. “Turizmi botëror operon në treg me sukses me këtë formulë dhe ka ardhur momenti që kjo të aplikohet dhe në turizmin shqiptar”, ka thënë përfaqësuesi i “Edal Tourist”. Ideja qëndron në faktin se për të blerë një shtëpi në bregdet, tashmë duhet të paguash çmime që fillojnë me 400 euro metri katror dhe përfundojnë me 700 euro. Duket se ekonomistët kanë përshirë në kosto dhe të gjitha shpenzimet që paguan një familje për ta mobiluar mirëmbajtur dhe për të paguar kostot e tjera të shpenzimeve. Të gjitha këto shpenzime janë relativisht të larta për pjesën më të madhe të konsumatorëve, të cilët, në fakt, nuk pretendojnë të blejnë një shtëpi, por të kenë të sigurtë dy javë pushime. Por duket se kalkulimet e “Edal” kanë parashikuar dhe shpenzimet dyjavore të një familje për të bërë pushime normale. “Duhen të paktën 500 euro për një familje për të kaluar pushimet në një pikë turistike, ku mbi të gjitha infrastrukturat nuk janë shumë komode”, ka kujtuar përfaqësuesi i “Edal”. Kështu, kompania turistike kërkon nga konsumatorët 12–16 mijë euro, të cilat mund të paguhen dhe me kredi në këmbim të gjashtë javë pushime, por vetëm dy javë brenda sezonit. “E veçanta e këtyre pushimeve është se gjeografia që ofrohet përfshin gati gjithë vendin tonë dhe duke patur parasysh tendencën që çmimet të rriten nga viti në vit, të gjithë ata që do të lidhin kontratën do të kenë pushime të sigurta me çmimin e sotëm”, bëri të ditur kompania “Edal Tourist”.

16 mijë euro pagesa

6 javë pushime

50 vjet kohëzgjatja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›