Eddi de Nadai, “Norma”, gjaku i italianëve në Tiranë
Petrika GROSI
Ai është pianist, por prej 10 vitesh i ka hyrë dirigjimit. Madje numëron jo pak, por 10 opera “Norma”, ku mjeshtri italian ka drejtuar orkestrat. Dirigjenti Eddi de Nadai tregon në një intervistë ekskluzive për gazetën “Albania” mbi përjetimet e tij në atmosferën shqiptare dhe mbi operan “Norma”, që sipas tij, është gjaku dhe shpirti i çdo italiani të vërtetë. Kjo është hera e dytë që mjeshtri italian vjen në Shqipëri, pasi kontakti i parë për të më vendin tonë ka qenë para tre vitesh, në 2006-n.
Për të dytën herë ju ktheheni në Shqipëri. ǒdo të thoshit lidhur me këtë eksperiencë?
Keni të drejtë. Vij pas 3 vitesh, pasi hera e parë që erdha në Shqipëri ishte falë ndërmjetësimit të Institutit Italian të Kulturës për një ballo me maska në vitin 2006, kurse tani vij me ftesë të maestro Zhani Cikos.
Cila është përshtypja që keni krijuar për mjedisin shqiptar?
Mbi të gjitha, shqiptarët janë njerëz tepër të dashur dhe të sjellshëm. Ndaj këtu ndihem mirë, për më tepër që tashmë kam krijuar edhe një rreth të mirë miqsh. Sa i përket artistëve të operas “Norma”, mund të them se janë shumë të mirë, veçanërisht Eva Golemi. Do të thosha se kam një raport të mirë edhe me orkestrën, pasi është një grup i madh artistësh, që dallojnë nga njëri-tjetri përsa u përket kualiteteve dhe impenjimit të tyre. Megjithatë, e rëndësishme është që orkestra të jetë e përgatitur për të interpretuar një opera, sepse nuk është njësoj si të luash muzikë simfonike dhe një opera.
Keni bërë ndonjë seleksionim të instrumentistëve pas njohjes me ta, vlerat dhe impenjimin e tyre?
Nuk kam veçuar asnjë, sepse orkestra është formacion bazë dhe seleksionimet bëhen nga tjetërkush.
Dhe si paraqitet orkestra e TKOB-it në sytë tuaj?
Janë disa defekte, të cilat i kam vënë në dukje dhe po bëjmë gjithë ç’është e mundur për t’i rregulluar në kohë. Por dua të theksoj se është një orkestër që e njeh mirë operan dhe unë, nga ana ime, po bëj të pamundurën për të arritur një rezultat sa më optimal. Nuk e di, por për më tepër le të shohim shfaqjen.
Lidhja juaj me operan “Norma”?
Është një opera që bën pjesë në kulturën tonë, është pjesë e gjakut tonë. Ajo mund të përcaktohet si simboli i belkantos italiane. E veçanta e kësaj pjese është se u jepet hapësirë totalisht zërave, pasi është melodia vokale ajo që del mbi gjithçka. Shumë herë shoqërimi instrumental vjen fare i ulët, pikërisht për t’u dhënë hapësirë zërave.
Si e keni njohur Shqipërinë para dhe pasi të vinit këtu?
Fillimisht Shqipërinë e njihja vetëm nga rrëfimet e miqve të mi shqiptarë që emigruan në Itali. Në fakt, deri në momentin që flasim, kam parë vetëm Tiranën dhe mund të them se të jep imazhin e një kryeqyteti që rritet shpejt, është në zhvillim e sipër, plot me kantiere dhe lëvizje njerëzish, një qytet nën një transformim të shpejtë. Shpresoj që ky vend, brenda pak vitesh, të arrijë një nivel maksimal qytetërimi dhe jetese si dhe metropolet e tjera në Europë.
Mos ndoshta Tirana ju ka trembur paksa?
Në fakt, gjëja që më ka bërë më tepër përshtypje është trafiku i madh i automjeteve në kryeqytetin tuaj. Një trafik të tillë nuk e gjen as në Napoli. Gjithsesi, edhe trafiku, ndonëse në dukje kaotik, është një gjë e bukur që e karakterizon një vend.
A do të kemi risi në këtë variant të operas “Norma”?
Sinqerisht prirem drejt një tradite të konsoliduar në këtë pikë. Opera “Norma” është një pjesë që ka një traditë shumë të qartë, që përshtatjet e reja nuk mund ta ribëjnë apo transformojnë më mirë se atë që është bërë. Një pikë referimi pa dyshim mbetet edhe pas 10 vitesh, Maria Calas nën drejtimin e Serafinit.
Pra ideja juaj është pak a shumë, që të sillni një “Norma” të vërtetë italiane në Tiranë?
Pikërisht. Synojmë që të sjellim traditën e operas “Norma” në Itali dhe të krijojmë një hapësirë që zërat të spikasin sa më mirë.
Thatë pak më parë se “Norma” është një pjesë që nuk pranon modifikime të ashtuquajtura “moderne”?
Po, jam kundër përpunimeve të këtij lloji. Pjesa e shkruar nga Belini dhe e realizuar nga Maria Calas e të tjerë nuk lë vend për rishikime sepse është tejet qëlluar dhe e plotë.
6 Shkurt 2009