E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhën lokalin, gjurmët e gjetura në vendngjarje zbulojnë autorët



Fier - Policia e Fierit ka vënë në pranga dy adoleshentë, të cilët, pas marrjes së gjurmëve të gjetura në vendngjarje, kanë rezultuar se janë autorë të vjedhjes së një lokali në Patos.
Burimet zyrtare të Policisë së Fierit pohuan për gazetën “Albania” se kanë vënë në pranga shtetasit Aleksandër Koçi dhe Andon Xhepmerka, pasi kanë vjedhur lokalin “Visar”, që ndodhet në rrugën kryesore të qytetit Patos. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se patrulla e policisë së postës Patos, mëngjesin e së mërkurës, ka parë në tarracën e lokalit rojën e tij, i cili, pasi kishte pikasur vjedhjen e lokalit, po qëndronte deri në ardhje të pronarit. Në kohën që ka kaluar patrulla policore ai ka kryer njoftimin. Pas shkuarjes së grupit të ekspertëve që kanë zbuluar gjurmë të lëna nga vjedhësit, policia në mesditën e së mërkurës ka kryer edhe ndalimin e dy vjedhësve.

Plagosi shoku me thikë, familja i fshehu krimin

Korçë– E kishte goditur me thikë në bark një shoku i tij, por familja e fshehu krimin dhe deklaroi se ishte goditur thjesht me një llamarinë kur ngarkonte dru. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kalivaç të Korçës dhe burime zyrtare të policisë thanë se Erjon Hysenllari është goditur për motive të dobëta me mjete të forta dhe të mprehta (thikë) në pjesën e barkut nga Oligert Adri, banues në fshatin Vërdovë të Pogradecit. Por forcat e policisë kanë mundur ta kapin këtë të fundit si edhe të zbulohen rrethanat dhe motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Pogradecit për hetime të mëtejshme.

Kishte pirë alkool, përplaset me makinën

Durrës – Nën efektin e pijeve alkoolike ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit. Ky aksident për pak sa nuk i ka marrë jetën drejtuesit të mjetit dhe dy pasagjerëve, shokë të tij, që udhëtonin bashkë me të në atë moment. Olti Dema ndodhet në Spitalin rajonal të Durrësit në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dy pasagjerët që udhëtonin me të, Dëshir D., 39 vjeç dhe Armand H., 23 vjeç, të dy lindur dhe banues në Rrashbull, kanë pësuar dëmtime të lehta. Olti Dema, banues në Rrashbull, dyshohet se ka konsumuar veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimit të automjetit në gjendje të dehur” parashikuar nga nenet 290 e 291 të Kodit Penal.

Thyejnë lokalin, marrin me vete televizorët plazma

Durrës – Në Lagjen 13 në Durrës, forcat e policisë kanë konstatuar vjedhjen me thyerje të lokalit “Pit Stop” në pronësi të shtetasit Erjon I. Forcat e policisë bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se persona ende të paidentifikuar, pasi kanë thyer derën e lokalit, kanë vjedhur edhe dy televizorë plazma 21 polsh të markës “Samsung”. Janë kryer veprimet e para hetimore dhe po punohet për identifikimin e kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “vjedhjes”.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›