Marrin peng adoleshentin pas sherrit, pranga pengmarrësve
Tiranë - Shtatë të rinj, mes tyre edhe një efektiv i Komisariatit Nr. 4 të policisë së kryeqytetit, janë vënë në pranga pasi dyshohen si pengmarrës të 18-vjeçarit K.K. Sipas policisë, gjithçka ka ndodhur pas një grindjeje për motive të dobëta. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën se u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve: Robert Luzi, 22 vjeç, punonjës policie në Komisariatin e Policisë Nr. 4; Armando Disha, 24 vjeç; Ernaldo Matraxhi, 18vjeç; Klodian Çakmashi, 20 vjeç; F. T, 17 vjeç; E. Q, 18 vjeç; A. D, 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye pasi dy ditë më parë, në fshatin Petrelë, pas një grindjeje për motive të dobëta midis adoleshentëve F. T dhe K. K, 18 vjeç, të arrestuarit e kanë marrë forcërisht këtë të fundit duke e detyruar të hipte në automjetin tip “Land Rover”, në pronësi të shtetasit H.Q. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, policia e Tiranës ka organizuar shërbimet policore të Komisariatit Nr.1. Në një kohë të shkurtër, ata arritën të bëjnë bllokimin e automjetit dhe të autorëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Land Rover”, me targa TR 3060 M. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale: “heqje e paligjshme e lirisë, e kryer në bashkëpunim” dhe “kanosje”.
6 Shkurt 2009