Greqi, bombë zyrës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme
Vetëm një ditë pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili paralajmëronte një situatë të trazuar në Greqi, një bombë ka shpërthyer dje në mëngjes në zyrën e zëvendësministrit grek të Punëve të Brendshme, i angazhuar për rendin publik, Hristos Markojanakis. Agjencia e lajmeve MIA njoftoi se lënda shpërthyese u vendos nga persona të panjohur në hyrjen e zyrës së zëvendësministrit, e cila ndodhet në katin e katërt në ndërtesën e lagjes athinase, “Kolonak”. Si pasojë e shpërthimit është shkaktuar zjarr dhe dëme të konsiderueshme materiale. Vitin e kaluar Zëvendësministri grek i Punëve të Brendshme ka qenë në epiqendër të kritikave për shkak të sjelljes agresive të policisë në përballjen me demonstruesit që protestuan për disa muaj në Greqi ndaj dhunës policore. Markojanakis, funksionin e ri e mori pas ndryshimeve të para pak kohëve që bëri kryeministri grek Karamanlis në kabinetin e tij pas demonstratave të fuqishme në vend. Policia ka marrë parasysh edhe këtë pistë në hetimet e saj për identifikimin e autorëve që vendosën eksplozivin në zyrën e zyrtarit.
Kryeprokurori i Hagës, vizitë në Kroaci
Kryeprokurori i Hagës, Serzh Bramerz, ka shkuar dje në Zagreb për të mbledhur prova kundër ish-gjeneralit kroat, Ante Gotovina.
Mediat kroate, duke iu referuar zëdhënëses së prokurorit të Hagës, Ollga Kavran, bënë të ditur se Bramerz u takua me përfaqësues të autoriteteve të larta kroate. Para disa ditësh gazeta kroate "Jutarnj list" publikoi se Holanda do ta bllokojë Kroacinë në procesin e aderimit drejt Bashkimit Europian për shkak të bashkëpunimit të pamjaftueshëm me Gjykatën e Hagës. Sipas mediave kroate, Bramerz është i pakënaqur me bashkëpunimin e Kroacisë me Hagën, pasi nuk ka dorëzuar dokumentacionin për operacionin “Stuhia”, ku mbeten të vrarë të paktë 37 civilë serbë.
Tadiç merr një letër kërcënuese: “Do ta paguash me një plumb në kokë”
Presidenti serb, Boris Tadiç, ka marrë një letër tjetër, ku kërcënohet me vdekje. Lajmi u bë i ditur nga gazeta serbe ”Blic”, e cila deklaroi se në letër shkruhej: “Tadiçi do të paguajë për shkak se tradhtoi vendin dhe do të ketë atë që meriton: Një plumb në kokë”. Sipas të njëjtave burime, letra është nisur nga Çikago, epiqendra e komunitetit serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por postimi duket se është bërë nga Serbia. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, kërcënohet me vdekje që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Presidenti serb konsiderohet tradhtar i interesave kombëtare serbe. Kabineti i presidentit Tadiç refuzoi të bënte komente lidhur me këtë çështje.
6 Shkurt 2009