E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ofronin seks me para dhe më pas vidhnin klientët

Policia prangos prostitutën, në kërkim bashkëpunëtorja dhe tutori. Denoncimi nga GJ. P., i kishin marrë shumën prej 100 mijë lekësh

Tiranë - Shkonin me klientët në krevat kundrejt pagesës, por më pas i vidhnin lekët nga portofoli. Dy gra kishin ngritur këtë skemë të vjedhjes, por denoncimi i njërit prej klientëve të tyre i ka nxjerrë jo vetëm zbuluar, por madje u ka kushtuar edhe prangat.
Ngjarja
Burime nga policia e Tiranës thanë për gazetën “Albania” se dje ka përfunduar në qeli 44–vjeçarja Fatmira Mediu, ndërkohë që është shpallur në kërkim bashkëpunëtorja e saj që shërbente si prostitutë, si dhe një burrë që ishte bashkëpunëtori i tyre. Sipas policisë, efektivët pranë Seksionit të posaçëm kundër Vjedhjeve kryen arrestimin në flagrancë të 44-vjeçares, lindur në Përmet dhe banuese në Tiranë, me arsim 8 klasë, e padënuar. Arrestimi i saj është bërë pasi dy ditë më parë, në bashkëpunim me një grua tjetër, kanë konsumuar veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim duke i vjedhur shtetasit GJ. P. shumën prej 100 mijë lekësh. Gjithashtu, Mediu, në bashkëpunim me një tjetër qytetar për të cilin po punohet për kapjen e tij, kanë shfrytëzuar një vajzë si prostitutë. Policia konfirmoi se materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “vjedhjes në bashkëpunim” dhe “shfrytëzim për prostitucion”.
Prostitucioni
Policia ka ndërmarrë dy ditë më parë një operacion për goditjen e një baze prostitucioni që vepronte në zonën e bllokut të ambasadave në Tiranë. Burime nga policia e kryeqytetit konfirmuan se operacioni “Driloni” i skuadrës antitrafik ka rezultuar i suksesshëm kur në pranga kanë rënë dhjetë persona, 8 vajza që ushtronin prostitucion, një e dyshuar si tutore dhe pronari i një hoteli. Në komunikimin për mediat, policia bëri me dije se 41-vjeçarja Sofie A. dyshohej të ishte tutorja e tetë vajzave që ushtronin prostitucion në bazë. Ajo kujdesej për klientelën e vajzave që e ushtronin profesionin te lokal-hoteli pranë bllokut të ambasadave. Vajzat e moshës së re ishin banore të Tiranës, Vlorës dhe Skraparit.

Kapet lezhjani që vidhte banesa në Tiranë

Tiranë - Një person është vënë në pranga pasi akuzohet se ka kryer një sërë vjedhjesh. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur për gazetën “Albania” se është kryer ndalimi i Mirush Jakut, 19 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje. Ai është ndaluar pas urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës, pak ditë më parë. Urdhri ishte lëshuar pasi 19-vjeçari Jaku është autor i disa vjedhjeve në Tiranë. Ai është autor i dyshuar i vjedhjes së banesave të shtetasve B. M, N. G., L. S., E. S. në Tiranë.
Pas arrestimit, dosja me materialet hetimore i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “vjedhjes”.

Aksidenti, betoniera përplas për vdekje të moshuarin

Tiranë - Një tjetër aksident me vdekje ka ndodhur dje në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur te vendi i quajtur Shinat e Treshit. Një i moshuar, duke udhëtuar me motoçikletë, është përplasur nga një betoniere. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë për gazetën “Albania” se pas përplasjes, Teme Lame, 71 vjeç, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra nga aksidenti. Uniformat blu kanë shoqëruar drejtuesin e mjetit të tonazhit të rëndë, Indrit Çela. Policia është duke vazhduar hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit tragjik.

Vuante nga depresioni, 31-vjeçari u vë flakën zyrave të Komunës së Kërrabës

Tiranë - I ndodhur në gjendje të rëndë mendore, një 31-vjeçar ka djegur zyrat e Komunës së Kërrabës. Policia e Tiranës tha dje për gazetën “Albania” se ndërhyrja e punonjësve shpëtoi ambientet e zyrave. Burime nga policia thanë se nga specialistët e Seksionit kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe armë si dhe Shkatërrimit të Pronës është kryer arrestimi në flagrancë i 31-vjeçarit Zydi Alimadhi, lindur dhe banues në Kërrabë, pranë kryeqytetit. Policia deklaroi se arrestimi i 31-vjeçarit është bërë pasi gjatë mesditës së djeshme, në kushtet e depresionit, për shkaqe ende të paqarta, ai ka hedhur lëndë djegëse në ambientet e zyrave të Komunës së Kërrabës. Pas ndërhyrjes së punëtorëve, zjarri është fikur. Pas arrestimit, policia tha se dosja me materialet hetimore i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “shkatërrim i pronës me zjarr”.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›