Edgar Çani te Pescara deri më 2012

Talenti shqiptar Edgar Cani ka vazhduar kontratën e tij me skuadrën e Pescaras deri në vitin 2012. Sulmuesi i datëlindjes 1989 që nga mediat italiane konsiderohet si "Vieri i ri" ka refuzuar kështu mundësinë për të kaluar te një nga skuadrat e madha italiane (e kërkonin Inter dhe Sampdoria) pasi dëshiron që të arrijë suksesin me skuadrën që i ka dhënë besimin që në moshë të re.
"Jemi të kënaqur me zgjedhjen e futbollistit, i cili kështu ka vendosur që të jetë pjesë e një projekti të rëndësishëm. Te Pescara sigurisht do të ketë mundësinë që të demonstrojë kapacitetin e tij. Pavarësisht interesimit të skuadrave për të cilat kanë folur aq shumë mediat, nga ana e Interit dhe Palermos ose klubeve të huaja, Edgari ka vendosur për projektin tonë. Në vendimin e tij e këshilluar mirë edhe personat që i qëndrojnë afër, në vecanti nëna e tij dhe menaxheri", ka deklaruar presidenti i Pescaras, Gerardo Soglia për faqen zyrtare të klubit.
Ndërkohë vetë Cani ka qenë mjaft entuziast për zgjedhjen e bërë. "Jam i sigurt që kam bërë zgjedhjen e duhur. Falënderoj klubi dhe prindërit e mi që më kanë këshilluar për këtë vendim".