E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edhe pa argjinaturë edhe përmbytje e sëmundje”

13/04/2005  Lumi Gjadër rrezikon katër fshatra

SHKODËR - Banorët e disa fshatrave të Vaut të Dejës, kanë ngritur përsëri zërin për rregullimin e argjinaturës së Naraçit, e cila në periudhën e fundit vjeshtë–dimër paraqiti probleme të shumta dhe një rrezik të madh përmbytjeje, për qindra banorë dhe për dhjetëra shtëpi, nga lumi Gjadër. Argjinatura e ngritur që në fillim të vitit 1957, me një gjatësi prej 3 km, kishte për qëllim që të mbronte një sërë fshatrash si Naraç, Kaçë, Shelqet dhe Mjedë.

Banorët e kësaj zone shprehen se vitet e fundit lumi Gjadër ka krijuar probleme të mëdha, pasi ka sjellë mjaft mbeturina inerte, duke krijuar një mbimbushje të shtratit të tij. Prurjet më të mëdha ishin sidomos pas thyerjes së pritës në Malin e Rrëzuar, gjë që bëri që mbushja e shtratit të arrinte deri pranë lartësisë së argjinaturës, që kohët e fundit ka shkuar drejt shkatërrimit të plotë. Shtëpitë poshtë kësaj argjinature, janë të shumta dhe gjatë gjithë dimrit kanë pasur problem me mbushjen e oborreve me ujin e lumit.

Banori i fshatit Kaçë, Fran Gjergji, shprehet se përmbytja e vitit të kaluar nga lumi erdhi si pasojë e kalimit të tij sipër argjinaturës dhe problemet e krijuara ishin të shumta, duke filluar që nga pamundësia për të jetuar më në këtë zonë, sepse në radhë të parë lagështia e tepërt po i bën të gjithë njerëzit dhe sidomos fëmijët që të vuajnë tmerrësisht nga sëmundja e reumatizmës dhe e azmës.

“Përmbytjet e herëpashershme të tokave po na pengojnë të marrim frytet e tokës, duke na sjellë një dëm të madh ekonomik, ku vetëm sasia e domateve të dëmtuara në sera kap shifrën 30 tonë”, ka thënë Gjergji. Ai ka sqaruar dje, për “Metropol”, se të gjendur të vetëm përballë natyrës, banorët janë munduar të marrin masa, duke hapur vetë kanale kulluese pritëse, qoftë rreth oborreve e qoftë rreth shtëpive. Por një zgjidhje e tillë për ta është provizore dhe nuk mund të jetë gjithmonë shpëtuese.

Banorët kanë ngritur disa herë këtë problem pranë Bashkisë së Vaut të Dejës, ku bëjnë pjesë këto fshatra, si një domosdoshmëri emergjente për rehabilitimin e kësaj argjinature. Ndërsa burimet nga Bashkia e Vaut të Dejës bëjnë të ditur se është hartuar një projekt për të eliminuar problemet që ka paraqitur kjo argjinaturë, por për zbatimin e këtij projekti duhet një shumë e konsiderueshme prej 320 mijë dollarë, që është premtuar të vijnë nga Banka Botërore, pasi vetë kjo bashki nuk i disponon këto para. Burimet shprehen se realizimi i këtij projekti do të eliminojë njëherë e përgjithmonë përmbytjet nga ky lum, sepse aty është parashikuar që të zgjerohet argjinatura nga ana e këtij lumi, si dhe të rritet lartësia deri në 2 m mbi atë që ka qenë. Përveç këtyre punimeve është parashikuar që të merren masa edhe në rregullimin e kanalit vaditës nga hidrocentrali i Vaut të Dejës deri në fshatin Naraç, gjë që do të ndikojë dukshëm në eliminimin e përmbytjeve të vitit të kaluar.

Aksush nuk vë dorë

Ura 30 metra rrezikon jetën e 4 fshatrave

Banorët e katër fshatrave të zonës së Nënshkodrës ndjehen të rrezikuar nga ura e Skarraminit. Ura është kthyer në problem për banorët, pasi ka pësuar çarje të mëdha.

Sipas burimeve nga Bashkia e Vaut të Dejës mësohet se, përveç argjinaturës së Naraçit, një problem jo i vogël është edhe ura e Skarramanit, në fshatin Nënshat.

Shqetësimin e kanë ngritur jo vetëm banorët e Nënshatit, por edhe të fshatrave të tjerë, si ai i Hajmelit në Vaun e Dejës, si edhe ato të fshatrave të Lezhës, si fshati Fishtë dhe ai Troshan, pasi kjo urë ndodhet midis dy zonave, asaj të Vaut të Dejës dhe të Lezhës.

Ura në fjalë me një gjatësi 30 m dhe me një lartësi 20 m, ka pësuar çarje të mëdha, pasi ujërat e rrëmbyer të përroit kanë gërryer dukshëm këmbët e saj, duke krijuar një rrezik mjaft të madh për automjetet dhe banorët që vazhdojnë të qarkullojnë ende sipër saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›