E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo: Nuk duhet të ngutemi

13/04/2005  Në prag të sfidës së sotme kundër Liverpulit, Fabio Kapelo u tregon rrugën që duhet ndjekur lojtarëve të tij: “Duhet të jemi agresivë, por edhe të matur, për të mos rrezikuar të befasohemi nga kundërsulmi. Duhet të kërkojmë golin, por pa nxituar”. Ndërkaq, Kapelo nuk ka asnjë dyshim në lidhje me formacionin titullar, pasi me dëmtimin e Trezegesë, përpara do të luajnë Ibrahimoviç e Del Piero të cilët shkëlqyen kundër Fiorentinës. Në mbrojtje, Kapelo zyrtarizon rreshtimin me tre lojtarë, me Turam, Montero e Kanavaro: “Mbrojtja me tre duhet të jetë e mjaftueshme nëse do të jeënë të shpejtë dhe të vëmendshëm, por e rëndësishme do të jetë puna mbështetëse e mesfushës”, vazhdon Kapelo, i cili flet edhe për Liverpulin: “Është një skuadër kompakte dhe shumë punëtore. Xherard është shumë i rëndësishëm në nivel udhëheqjeje dhe karakteri, por jam i sigurtë se kush do ta zëvendësojë, domethënë Ksabi Alonso, do të jetë po aq i rëndësishëm”. Për trajnerin e Juves, themelor do të jetë durimi: “Do të duhet të luajmë me shumë inteligjencë taktike, papasur nxitim, sepse ata janë shumë të shpejtë në kundërsulm. Psikologjikisht, është një garë shumë e ngjashme me atë të kthimit me Realin e Madridit, por duhet të jemi më të qetë, sepse duhet të rekuperojmë vetëm një gol”. Komenti i fundit është për dhunën në stadiumet italiane: “Jam dakort me Ministrin Pizanu, duhen marrë masa. Kam parë pamjet filmike të tifozëve tanë në Liverpul, në fushë nuk e kisha kuptuar atë që po ndodhte dhe mendoj për një gjë: “sa më shumë i shfaqim në televizion, aq më shumë i bëjmë protagonistë. Ata pikërisht këtë gjë duan,por ne nuk duhet t’u bëjmë reklamë. Sa më pak flasim, aq më mirë është”, përfundon Kapelo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›