E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Fieri, jo më vend tranzit i trafiqeve”

13/04/2005  Flet Sokol Kalani, drejtori i Policisë së Qarkut

FIER – Dy muaj pasi ka marrë në dorë “çelësat” e Drejtorisë së Qarkut të Fierit, kreu i saj, Sokol Kalani, ka bërë një ekspoze të gjithë asaj çka ka ndodhur në këtë Qark, duke vënë në dukje si sukseset, ashtu dhe problemet. Motoja e tij dhe e gjithë stafit, sipas vetë kryekomisarit duket se është “Fieri, jo më vend tranzit për trafiqe të paligjshme”.

Kryekomisar Kalani, keni mëse dy muaj në krye të policisë së Fierit. Cila është karakteristika e kriminalitetit në Qark?

Tashmë jemi në një periudhë të tillë, ku nuk mund të themi me saktësi se çfarë është karakteristikë kriminaliteti në Qarkun e Fierit. Këtu si në çdo qark tjetër gjen lloje të ndryshme veprash penale, por nuk janë dominuese, njëra apo tjetra vepër. Ka krime kundër personit, trafik droge apo klandestinësh, vepra penale të vjedhjes, tentativës për vrasje etj. Nuk jemi në vitet e mëparshme kur Myzeqeja ishte “hambar” i kultivimit të bimës narkotike, kanabis sativa. Tashmë ajo periudhë kohore është lënë pas.

ǒmendoni për krimet e vjetra? Sa kanë mbetur pa u zbardhur dhe cili është mendimi juaj për moszbardhjen e tyre për kaq kohë?

Mund t’ju them se numri i vrasjeve ka rënë ndjeshëm në krahasim me vitet e mëparshme. Tashmë si drejtori po synohet lufta kundër krimit të organizuar. Për sa i përket krimeve të vjetra, ne kemi bërë një studim dhe nga ku kemi bërë parashkrimin e të gjitha krimeve të vjetra. Janë 400 krime të vjetra, të parashkruara në

Qarkun e Fierit. Por duhet të kemi parasysh këtu krimet e rënda dhe ato më të lehta. Krimet e vjetra më të lehta se vrasje, krime që parashkruhen, me kalimin e viteve humbasin vlerën e tyre dhe nuk hetohen më. Kështu vitet bëjnë punën e tyre dhe i sfumojnë, pasi dalin ato më të rejat dhe më të rënda. Për sa i përket krimeve të vjetra të rënda, siç janë ato të vrasjes dhe krim kundër personit, ne si Drejtori po punojmë për sigurimin e provave të reja dhe dokumentimin ligjor të tyre.

Si do ta realizoni objektivin e ministrit Toska të deklaruar një vit më parë se Fieri nuk do të jetë më vend tranzit i trafiqeve?

Sigurisht në sajë të punës sonë fleksibile dhe operacioneve blic në bashkëpunim dhe me Drejtoritë e Policisë së qarqeve të tjera, mendoj se pas pak kohësh Fieri nuk do të jetë më vend tranzit i trafiqeve. Edhe në analizën 3-mujore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut nga zv.dsrejtori i Përgjithshëm i Policisë Shtetit, Dashnor Kaja, u vlerësua puna e mirë e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Fier në lidhje me luftën kundër trafikut klandestin dhe të qenieve njerëzore, siç ishte ajo e veprimtarisë antiligjore të një grupi kriminal që merrej me organizimin e trafikut klandestin të qenieve njerëzore në drejtim të Italisë. Në këtë grup bënin pjesë 8 shtetas, të gjithë banorë të Durrësit, nga këta 5 u arrestuan dhe 3 janë në kërkim. Po kështu edhe operacioni në Divjakë të Lushnjës besoj se këto janë prova të mjaftueshme që diçka po lëviz në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier në drejtim të luftës kundër trafikut klandestin. Madje, nga ana jonë është rritur cilësia e shërbimeve dhe kontrollit të hapësirës detare. Në muajin mars në plazhin e Semanit u instalua një radar i fuqishëm, i cili bën të mundur kontrollin e bregdetit nga ishulli i Sazanit deri në Spitall të Durrësit. Si rezultat i masave të marra gjatë këtij 3-mujori u bë i mundur bllokimi i 2 gomoneve në lumin Vjosë, si dhe kapja dhe arrestimi i 8 personave në tentativë për organizimin e trafikut klandestin të 27 shtetasve nga qyteti i Durrësit.

A vëreni ndonjë të metë në sektorë të tjerë të policisë së Qarkut Fier?

Sigurisht që ka. Është ai i policisë rrugore. Ka pasur shumë aksidente automobilistike, kryesisht në rrugët në juridiksion të Komisariatit të policisë së Lushnjës, ku gjatë këtij 3-mujori janë konstatuar 11 aksidente me 10 persona të vdekur dhe 8 të plagosur. Ne do të gjejmë forma dhe metoda më fleksibile për t’i bërë sa më rezultative shërbimet e policisë rrugore me qëllim

shmangien e aksidenteve. Duket se masat administrative si gjobat ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit, bllokimi i automjeteve dhe pezullimi i lejeve të drejtimit të automjetit nuk kanë ndikuar në rezultatin për shmangien ndaj aksidenteve automobilistike. Kështu ngelet vetëm forcimi i shërbimit të policisë rrugore për të minimizuar aksidentet tragjike rrugore.

Statistika

Analiza e tremujorit

Policia e Qarkut Fier ka zhvilluar analizën e punës tremujore pak ditë më parë, ku janë evidentuar të gjitha rezultatet e punës. Sektori i Policisë Kriminale në Drejtori gjatë kësaj periudhe ka evidentuar 23 vepra penale, në të cilat janë implikuar 26 persona, nga të cilët 12 janë arrestuar e ndaluar dhe 14 ndiqen në gjendje të lirë. Po gjatë kësaj periudhe është goditur një grup tjetër kriminal, i cili merrej me trafikimin e qenieve njerëzore në drejtim të Italisë. Në këtë grup bënin pjesë 8 shtetas, të gjithë banorë të rrethit Durrës, 5 nga të cilët u arrestuan dhe për 3 të tjerë u bë shpallja në kërkim. Gjatë tre muajve policia fierake verifikoi rreth 2000 shtetas në mbështetje të procesit të identifikimit dhe regjistrimit të popullsisë, detyrë që u krye në një afat të shkurtër. Për tre muaj në qark kanë ndodhur 11 aksidente me 10 të vdekur dhe 8 të plagosur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›