E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e zonave malore rrezikohen nga analfabetizmi

13/04/2005  Mungojnë edhe mësuesit e ambientet

SHKODËR – Qindra fëmijë po rrezikojnë të mbesin analfabetë. Nuk është shaka, por e vërteta e hidhur, me të cilën po përballen fëmijët e zonave të thella veriore të rrethit të Shkodrës. Me qindra fëmijë po rrezikojnë çdo vit e më tepër që të shkojnë drejt analfabetizmit. Banorët e këtyre zonave shprehen se, përveç jetës së vështirë që po kalojnë këto vitet e fundit dhe sidomos këtë dimër të acartë, ku po përballen me egërsinë e maleve dhe mungesën e kushteve, me të ftohtin dhe varfërinë, tashmë po vuajnë edhe mungesën apo vështirësitë e shkollimit të fëmijëve të tyre. Janë me dhjetëra fëmijë të këtyre zonave të thella, ku nuk bëjnë përjashtim edhe ata të klasës së parë, që për të shkuar në shkollë duhet të ecin me kilometra të tëra. Kjo edhe për faktin se ka edhe fshatra me numër të pakët nxënësish, për arsye të largimit të familjeve drejt një jete më të mirë, ku janë bërë bashkime shkollash, siç është rasti i fshatit Palaj, të rrethit të Shkodrës, ku prej 6 vitesh nuk ka më shkollë dhe fëmijët janë të detyruar të bëjnë çdo ditë 7 km në këmbë për të shkuar në shkollën e përbashkët dhe 7 km të tjera për t’u kthyer në shtëpi. Në këtë mënyrë prindërit, duke mos pasur edhe kushte për t’i blerë rrobat e duhura që kërkon i ftohti, kanë qenë të detyruar që shumicën e kohës t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi, duke rrezikuar rritjen e analfabetizmit. Një problem të tillë po e kalon edhe zona e Qerretit, ku mungon shkolla që prej 2 vitesh, duke bërë që rreth 60 nxënës të kësaj shkolle të ecin 6 km në këmbë për t’u shkolluar në fshatin fqinj. Një problem të madh këto zona kanë edhe mungesën e mësuesve me arsim përkatës, pasi tashmë është bërë e vështirë që me atë pagë që marrin të qëndrojnë në zonat e thella. Mungesa e mësuesve ka disa vite që është kthyer një “gangrenë”, që nuk po gjen zgjidhjen e duhur për arsimimin e fëmijëve të zonave të thella malore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›