Mediet e huaja interesohen për krizën dhe ndikimin në Shqipëri, Berisha iu jep leksion për Amerikën
Mediet e huaja, që tashmë i kanë sytë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, janë interesuar dhe për impaktin që mund të ketë kriza ekonomike në një vend të vogël si Shqipëria, ndaj kanë pyetur kryeministrin, Sali Berisha. Por, në vend që të marrin përgjigje për krizën dhe ndikimin në vendin tonë, kanë marrë përgjigje nga Berisha se si duhet zgjidhur kriza globale.
Kështu ka ndodhur në debatin e transmetuar direkt në televizionin CNBC, një debat ky i përvitshëm në këtë Forum. Debati i këtij viti, me temë “Jo kthim mbrapa”, fokusohej në sinjalet që lëshoi kriza ekonomike botërore, jo vetëm për botën e financës dhe ekonomisë, por edhe atë politike.
Para fillimit të debatit, kryeministri Berisha u intervistua nga televizioni Bloomberg, Agjencia e lajmeve Associated Press, gazeta “Wall Street Journal” dhe Radio Swiss në lidhje me reagimin që ka pasur e do të ketë ekonomia shqiptare kundrejt krizës ekonomike botërore.
Berisha ka deklaruar shifrën 9.9% të rritjes ekonomike, edhe pse kjo shifër i është rrëzuar nga ndërkombëtarët. Berisha tha se kriza do e prekë Shqipërinë me një rënie ndoshta të eksporteve, importeve dhe të ardhurave nga emigrantët, por, duke qenë se Shqipëria ka ende shumë burime për t’u shfrytëzuar dhe shumë projekte që kanë marrë rrugën e zhvillimit, ka optimizëm për të pasur rritje ekonomike të mëtejshme.
Më pas ai ka dhënë leksione si duhet zgjidhur kriza në botë.
“Ndonëse përfundimisht përpjekjet nga vende të veçanta janë të domosdoshme dhe të dobishme, një përqasje globale ndaj krizës është e nevojshme. Kjo është një krizë e rëndë, por dalja prej saj duhet të nisë nga besimi. Paniku është absolutisht faktori më agravues i kësaj krize”, - tha Berisha.
Kryeministri shqiptar tha se shpreson që presidenti amerikan, Barack Obama, të ketë idetë e tij. Kryeministri Berisha tha se ideja e bankave të këqija mund të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës së besimit, e cila është një faktor madhor në paqëndrueshmërinë e tregjeve financiare botërore. “Nuk mund të them, nëse do të funksionojë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përmasave të mëdha të krizës, por në Suedi ajo funksionoi dhe jo vetëm në Suedi, por edhe në disa vende të tjera”, - u shpreh kryeministri për gazetarët.
“Mendoj se presidenti Barack Obama ka këtë ide dhe kjo mund të jetë e dobishme për të dëshmuar se jo të gjitha bankat janë të prekura nga kriza”, - tha më tej kryeministri.
Sërish Berisha, ashtu si disa muaj më parë, ka deklaruar për mediet ndërkombëtare se botës i duhet një Martin Luter.