Edhe Bashkimi Europian rrëzon ligjin e lustracionit
TIRANË – Edhe Brukseli nuk e ka aprovuar nismën ligjore të mazhorancës qeverisëse shqiptare për miratimin e ligjit të lustracionit. Pas Këshillit të Europës, OSBE-së, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Trojka Europiane ka dalë dje kundër paketës së propozuar nga kryeministri Berisha e cila pret vetëm firmën e Presidentit Topi për të marrë fuqi ligjore. “Ligji ngre shqetësime në lidhje me disa aspekte, si mbi procedurën, ashtu edhe mbi përmbajtjen”, - thuhet në deklaratën zyrtare të firmosur nga përfaqësuesit e presidencës çeke, Komisionit Europian në Tiranë dhe nga e ngarkuara e Suedisë, të cilët paralajmëruan zhvillimin e një takimi në të ardhmen e afërt me përfaqësuesit e Tiranës zyrtare për këtë çështje.
Reagon Trojka Europiane
Bashkimi Europian reagoi 36 ditë pas miratimit në Kuvend të të ashtuquajturit ligji i lustracionit, i cili u kundërshtua nga pjesa më e madhe e përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtare dhe ambasadave të vendeve mike në Tiranë. Duke u ndaluar për procedurat e miratimit të ligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”, i cili u votua me bojkotin e opozitës, deklarata e Brukselit zyrtar thotë se, “Bashkimi Europian i kushton një rëndësi të madhe dialogut politik përgjatë spektrit politik. Ky është një nga kriteret politike me rëndësi thelbësore për pranimin në BE”. Më tej, qëndrimi i prerë dhe i shkurtër thekson se ligji i ri ngre shqetësime në lidhje me disa aspekte; si mbi procedurën, ashtu edhe mbi përmbajtjen.
“Në këtë kontekst, Bashkimi Europian do të takohet me qeverinë që të bëjë të qartë pozicionin e BE-së”, - mbyllet deklarata e parë zyrtare e Brukselit që pas miratimit të ligjit për pastërtinë e figurës. Autoritetet e BE-së kanë qenë të shqetësuar pas zhvillimeve që ndodhën menjëherë me kalimin në Kuvend të këtij ligji, sidomos në radhët e institucioneve të drejtësisë. “Ne i kushtojmë një rëndësi të madhe një gjyqësori mirëfunksionues dhe politikisht të pavarur”, - thuhet në këtë deklaratë.
Refuzimet e OSBE-së dhe KE-së
Sapo ligji kaloi në Kuvend, reaguan menjëherë autoritetet e Këshillit të Europës dhe OSBE-së, të cilët e konsideruan ligjin si një nismë që bie ndesh me parimet dhe konventat europiane. Vetëm 24 orë pas votimit të ligjit në Kuvend, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Terri Dejvis, deklaroi se ligji i lustracionit nuk përmbush kriteret dhe standardet e Këshillit të Europës. Sipas tij, “këto përfshijnë: shtrirjen tepër të gjerë të ligjit përsa u përket kategorive të zyrtarëve që mund të preken dhe faktin që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë; paanësinë dhe proporcionalitetin e procedimeve të lustracionit; rreptësinë e sanksioneve të parashikuara dhe fakti që nuk ka një limit kohor”. Në deklaratë, Dejvis vëren disa mospërputhje të rëndësishme në lidhje me Rezolutën mbi masat për heqjen e trashëgimisë së ish-sistemeve komuniste totalitare, të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në vitin 1996”. Në fund, ai shprehet i gatshëm që ekspertët e Strasburgut të asistojnë autoritetet shqiptare për këtë çështje. Në të njëjtën periudhë, zëvendësambasadori i OSBE-së në Tiranë, Finnen, takoi kryeparlamentaren Topalli. Alex Finnen, zëvendëskryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, u shpreh: “Ligji për Pastërtinë e Figurës”, i miratuar nga Kuvendi, duhet të përmbushë kërkesat e një vendi që bazohet mbi shtetin ligjor. Në veçanti, duhen respektuar plotësisht dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe standardet e pranuara ndërkombëtare”.
SHBA-të dhe Britania, kundër
Në të njëjtën linjë me OSBE-në dhe Këshillin e Europës janë shprehur edhe përfaqësuesit diplomatikë të Londrës dhe Uashingtonit në Tiranë. Ata kanë reaguar edhe para miratimit të ligjit dhe pas kalimit në Kuvend, si dhe kanë takuar kreun e shtetit, zotin Bamir Topi, me të cilin kanë biseduar në lidhje me shqetësimet që kanë konstatuar te ligji i pastërtisë së figurave. Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka bërë tri deklarata në lidhje me këtë nismë ligjore të mazhorancës. Pas dy paralajmërimeve të para, një ditë pas miratimit të ligjit në Kuvend, përmes një deklarate, ambasadori Uidhers është shprehur se, “ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese te partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Të njëjtën gjë bënë edhe përfaqësuesit britanikë në Tiranë. Ambasadori Frejzër Uillson kërkoi shtyrjen e procesit të votimit të ligjit dhe diskutimin e pikave të veçanta me ekspertë vendas dhe të huaj, por një gjë e tillë nuk u mor në konsideratë nga mazhoranca. Tashmë, ligji i lustracionit gëzon vetëm mbështetjen e Partisë Demokratike, kreut të saj Berisha dhe aleatëve të tij në qeverisje, ndërsa opozita, faktori ndërkombëtar, përfshirë edhe familjen ku duam të integrohemi, janë shprehur kundër.
REAGIMET
1- Komisioni Europian
Ligji i ri "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve" ngre shqetësime në lidhje me disa aspekte si mbi procedurën, ashtu edhe mbi përmbajtjen.
2- Këshilli i Europës
Ligji i lustracionit bie ndesh me parimet dhe konventat. Po ashtu, ai ka mospërputhje me Rezolutën e KE-së, të vitit 1999, mbi masat për heqjen e trashëgimisë së ish-sistemeve komuniste.
3- OSBE-ja
Ligji “Për pastërtinë e figurës” duhet të përmbushë kërkesat e një vendi që bazohet mbi shtetin ligjor. Në veçanti, duhen respektuar plotësisht dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe standardet e pranuara ndërkombëtare.
4- SHBA
Ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese te partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
5- Britania e Madhe
Ka shumë rëndësi që një ligj me pasoja kushtetuese kaq serioze të shqyrtohet dhe të diskutohet gjerësisht në një kohë të mjaftueshme. Procesi i pastrimit të figurave duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
BOX 1
Prokurori i Gërdecit, “viktimë” e ligjit për lustracionin
Në të njëjtën ditë që Kuvendi miratoi me 77 vota ligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”, Zamir Shtylla, drejtori i Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe njëherësh prokurori i çështjes së Gërdecit, dha dorëheqjen nga posti. Emri i tij ishte lakuar edhe më parë nga përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët e akuzonin për “krimet” që ka bërë gjatë të kaluarës komuniste. Madje, kjo u pasua nga disa akuza të njëpasnjëshme në media. Por Shtylla i paraqiti dorëheqjen kryeprokurores Ina Rama, e cila më pas e emëroi atë në Prokurorinë e Elbasanit.
REAGIMI
Pollo: “Nuk tërhiqemi, BE-ja të monitorojë zbatimin e ligjit”
TIRANË – Menjëherë pas deklaratës së BE-së, ka reaguar qeveria duke mos ndryshuar qëndrimin për ligjin si dhe duke ftuar Brukselin që të monitorojë zbatimin e tij. “Zëvendëskryeministri Genc Pollo priti të mërkurën në takim përfaqësuesit e Trojkës Europiane në Tiranë, të përbërë nga ambasadorja e Çekisë Marketa Fialkova, e Ngarkuara me Punë e Suedisë znj. Elisabet Stam dhe shefin e delegacionit të Komisionit Europian, z. Helmut Lohan, me të cilët ka diskutuar çështjet që lidhen me ligjin e lustracionit. Sipas njoftimit zyrtar, “Pollo i siguroi bashkëbiseduesit se qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e të paanshëm të këtij ligji, se çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të trija shkallët e Gjyqësorit dhe vetëm pas shprehjes së Gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. (Ankimimi mund të vijojë eventualisht edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg). Ai ka sqaruar se 3 prej 5 anëtarëve të Autoritetit të Kontrollit të Figurës do të jenë përfaqësues nga opozita.
29 Janar 2009