E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Me ligjin e dosjeve, Berisha po dëmton integrimin”



Edi Rama akuzon kryeministrin Berisha se për shkak të miratimit të ligjit antikushtetues të dosjeve, Shqipëria do të hasë pengesa në ecurinë e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Rama i cilësoi shumë shqetësuese deklaratat dhe reagimet e KE-së në lidhje me ligjin e dosjeve, të miratuar nga ana e maxhorancës. “Shqipëria nuk bëhet dot Europë dhe as nuk hyn dot në Bashkimin Europian nëse politika e saj nuk flet gjuhën e këtij Bashkimi dhe nuk respekton vlerat e parimet e këtij bashkimi. Kështu përkthehet deklarata e sotme e Bashkimit Europian e cila është në leximin tim shansi i fundit që Europa i jep Sali Berishës e kësaj maxhorance të papërgjegjshme përpara sesa faturën e sjelljes antidemokratike e të marrëzive antikushtetuese të kryeministrit e të oborrit të tij ta paguajë Shqipëria me shtyrjen pa afat të kërkesës për të marrë statusin e vendit kandidat e me të gjitha pasojat që ka për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, një vonesë e re në rrugën e integrimit europian”, - tha Rama. Kreu i PS-së theksoi se sinjali shqetësues i dhënë nga 27 vendet e Bashkimit Europian vjen pas miratimit me verbërinë e një shumice të ligjit të dosjeve, një ligj që është jashtë frymës europiane, jashtë kornizës së vlerave e parimeve të Bashkimit Europian dhe jashtë kufijve kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›