E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta për pushtet eliminon grupet brenda PD-së



Eljona Ballhysa
Afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe ambicia për të zënë një vend në listë ka bërë që të shkrihen zërat ndryshe brenda Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ndryshe nga disa vite më parë, ku në PD ishin të përvijuara tre-katër grupime deputetësh, tashmë këto grupime janë zbehur. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se rolin kryesor në parti e luajnë individë jashtë grupit parlamentar, biznesmenë të fuqishëm, që kanë akses në qeveri, si dhe njerëz influentë pranë kryeministrit Berisha. Të gjithë këta bëjnë politikën e PD-së dhe përcaktojnë në mënyrë indirekte emrat e kandidatëve për deputetë në lista.
Zgjedhjet
E gjithë kjo situatë është krijuar gradualisht në parti. Pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 në PD dukeshin qartë grupi i Topallit-Rusmalit-Bodes, grupi i ish-nënkryetarit Bamir Topi, si dhe të rinjtë e KOP-it. Ndërsa tashmë e gjithë partia drejtohet vetëm nga dy figura të fuqishme dhe të padiskutuara, nga Berisha e Topalli. Të gjitha vendimet merren vetëm nga kjo dyshe. Edhe listat e deputetëve janë në dorë të kësaj dysheje dhe njerëzve me influencë pranë tyre. Ndërsa deputetët, për shkak se ndodhen në prag të hartimit të listave për kandidatët për deputetë, janë kthyer në nëpunës partiakë. Roli dhe pesha e të qenit deputetë ka rënë. Kjo dhe për faktin se qeveria ndodhet në fund të mandatit dhe shumicën e projektligjeve të rëndësishme i ka miratuar tashmë dhe vota e deputetëve nuk është se i nevojitet domosdoshmërisht. Lidershipi i PD-së është mëse i sigurt në votën e deputetëve për shkak se ka në dorë hartimin e listave. Së fundi, listat e kandidatëve për deputetë janë kthyer në një kusht për mënyrën e votimit, fjalimit dhe ndoshta dhe mendimit të deputetëve.
Listat
Në një situatë të tillë, për të zënë vend në listë, më të favorizuarit janë deputetët biznesmenë, paratë e të cilëve janë të nevojshme gjatë fushatës zgjedhore. Po kështu, sipas burimeve, pritet të përfitojnë ata persona që kanë miq të fuqishëm, fjala bie për biznesmenë të lidhur ngushtë me qeverinë. Ose ata që kanë lidhje të ngushta me njerëz me influencë pranë shefit të qeverisë dhe kryetares së Kuvendit. Gjithashtu rol të rëndësishëm luajnë dhe këshilltarët e ngushtë të Berishës. Burimet bëjnë të ditur se së fundi deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së kanë filluar të takohen me ata që quhen ndërmjetës midis tyre dhe kryetarit të partisë. Zakonisht në të tilla biseda flitet për punën e bërë në zonë, promovohet mbështetja që ata kanë në elektorat, por dhe mbështetja financiare që një deputet ka dhënë për partinë ndër vite gjatë fushatave zgjedhore.
“Sekserët”
Ndër emrat që njihen si njerëzit e afërt të kryeministrit, që kanë tagrin të ndikojnë te Berisha për hartimin e listës për kandidatët për deputetë, burimet nga Grupi Parlamentar i PD-së përmendin Jozefina Topallin, Ridvan Boden, Arben Imamin, Astrit Patozin dhe Gjergj Lezhjan. Një rol të rëndësishëm, sipas deputetëve të PD-së, luajnë dhe njohjet që kanë ata me vajzën e kreut të qeverisë, Argita Malltezi. Sipas tyre, ajo ka ndikuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2005 duke afruar shumë emra të rinj në Partinë Demokratike dhe është shumë e rëndësishme që të kesh “muhabet” më të, për të garantuar një vend të mirë në listën e PD-së. “Edhe ministrat e përkëdhelur të Berishës, si Basha e Olldashi, mund të të zgjidhin punë”, - pohojnë burime nga grupi i PD-së.

Prapaskenat e zgjedhjeve për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës

Lista e gjatë e kandidatëve për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës tregon më së miri dhe luftën që ka nisur të zhvillohet prej kohësh në PD për të zënë në një vend në listën e ardhshme për kandidatët për deputetë. Duke përjashtuar dy apo tre kandidatura, që janë emra me kontribute të hershme në parti, pjesa tjetër e kandidatëve duket se e kanë të qartë se nuk kanë shpresa për të fituar një ndër postet më të rëndësishme në PD. Por përfshirja e tyre në garë nuk bëhet kot. Burime nga Grupi Parlamentar i PD-së pohojnë se e gjithë gara për kreun e PD-së bëhet dhe për promovimin e një sërë figurave, në mënyrë që këta të fundit të përfitojnë mundësinë për t’u përfshirë të listën e kandidatëve për deputetë. Këta emra kanë pranuar të futen në këtë garë edhe për t’u mediatizuar në mënyrë që elektorati kryeqytetas të njihet më ta. Kjo ia lehtëson më shumë punën gjatë fushatës elektorale në rast se lidershipi i partisë vendos përfshirjen e tyre në listën e kandidatëve për deputetë.

Lista paraprake e PD-së

Sali Berisha
Ridvan Bode
Astrit Patozi
Jozefina Topalli
Ilir Rusmali
Sokol Olldashi
Fatos Beja
Genc Ruli
Edi Paloka
Bujar Nishani
Leonard Demi
Edmond Spaho
Marieta Zaçe
Aldo Bumçi
Lulzim Basha
Majlinda Bregu
Maksim Cikuli
Aleksandër Biberaj
Halit Shamata
Ferdinand Poni
Besnik Mustafaj
Ilir Bano
Flamur Noka
Gent Strazimiri
Arben Imami
Juela Meçani
Fatbardh Kadilli
Glori Husi
Myqerem Tafaj
Petraq Milo
Selami Xhepa
Suzana Guxholli
Albana Vokshi
Antoneta Malaj
Arben Xhiku
Ardian Kollozi
Arenca Trashani
Arta Sakja
Astrit Bushati
Aurel Bylykbashi
Bujar Leskaj
Eris Hoxha
Fahri Balliu
Florian Mima
Genc Juka
Gjergj Lezhja
Jemin Gjana
Pal Dajçi
Preç Zogaj
Sali Shehu
Shaban Memia
Ylli Pango
Gazmend Oketa
Sami Gjergji
Ferdinand Xhaferri
Dashnor Sula
Arian Starova
Ndriçim Babasi
Lajla Pernaska
Genc Pollo
Tritan Shehu
Taulant Bino
Përparim Dervishi
Edvin Kulluri
Ismail Hoxha
Albert Gajo
Lindita Lati
Ndoc Faslia
Tatjana Kongoli
Ardian Nuni
Ylli Panariti
Edith Harxhi
Ferdinand Shehu
Liri Dibra
Gjergj Bojaxhi
Suela Ruseti
Zana Zhuka
Iva Zajmi

29 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›