Edhe Berisha dorëzohet, humbi kontrollin gjatë fjalimit
Tirane – Kryeministri Sali Berisha u detyrua të ndërpresë fjalimin e tij përshëndetës me rastin e festës së 21 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. Ai pësoi një luhatje tensioni dhe humbi kontrollin dhe u desh ndihma e truprojave të tij për ta zhvendosur nga foltorja, ndërsa më pas u desh ndihma e shërbimit spitalor të urgjencës për të siguruar se shëndeti i tij ishte normalizuar.
Berisha e nisi fjalimin e tij rreth orës 18.20 minuta, në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe foli pa ndërprerje deri në orën 18.59 minuta, një fjalim i tejzgjatur për një ceremoni të tillë. I lodhur, mesaduket nga fjalimi, Berisha nuk mundi ta përfundojë atë. Ai pësoi një zverdhje në fytyrë dhe tentoi fillimisht të mbahet tek foltorja. Por ndërsa mbylli shpejt e shpejt fjalimin me zënë të mekur, ai u bëri shenjë me dore truprojave të afrohen, të cilët menjëhere u afruan pranë foltores dhe e shoqëruan drejt një mjedisi të zbrazët të hollit të Pallatiti të Kongreseve. Pak minuta më pas, nga hyrja anësore e Pallatit të Kongreseve mbërriti autoambulanca e urgjencës për ti dhënë ndihmën e parë. Festa u ndëpre dhe të ftuarit nisën të dalin nga holli i Pallatit të Kongreseve pas kësaj. Ndërkohë kryeministri u shoqërua për në shtëpinë e tij.
Kjo është hera e parë që kryeministri Berisha detyrohet ti dorëzohet shëndetit. I dalluar për energjitë dhe karizmën e tij ai u ka rezistuar mitingjeve dhe fjalimeve në fushata elektorale, por natën e festës së PD, ai iu dorëzua ndoshta moshës dhe lodhjes. Në një mjedis të mbyllur e mbingarkuar me njerëz, një fjalim i stërzgjatur ndoshta ishte i pamenduar mirë nga stafi i tij.
Shkrime të tjera me interes: