E Diel, 1 Nëntor 2026

Stinës së dasmave nuk u vjen fundi...

12/12/2011  Një dasmë beratase, dilemë mes tradicionales dhe modernes. E bukur dhe e pazakontë; 2 nuse nga një shtëpi

BERAT - Ditët e dhjetorit jo shumë të ftohta kanë bërë që ende çiftet të vazhdojnë të kryejnë ceremoninë e martesës dhe të vijojnë të xhirojnë me kamera videoklipet e tyre mes

bukurive të rralla të qytetit plak. Teksa kisha dal në një shëtitje çlodhëse në lulishten qendrore të qytetit për të shijuar mrekullitë e tij pashë se ende vazhdonin xhirimet e videoklipeve në rrugicat e lagjes të një e mbi një dritareve për të zbritur më pas lulishten që shtrihet përkrah Osumit dhe para lagjes shekullore. Rreth një muaj më parë unë mora pjesë në një ceremoni dasme të veçantë të një gazetari koleg, çka më la mbresa të rralla. Por ajo që më tërhoqi vëmendjen në këtë qytet ishte vazhdimi i traditës beratase e xhirimit të nuses në këmbë, me pajton dhe me makina nga më luksozet, gjë e cila më shumë i ngjante një xhirimi filmi sesa videoklipi. Një nga banorët e vjetër të lagjes muzeale “Mangalen”, Xhorxhi më tregoi për këtë traditë që sa e bukur po dhe aq nostalgjike është që në këtë rast ende nuk i është shkëputur të shkuarës e thënë ndryshe traditës së vjetër. Në të shumtën e rasteve çiftet, të vetë qytetit, por dhe të rrethinave të tij që vijnë në këtë qytet madhështor për të xhiruar videoklipet, nuk largohen pa bërë një xhiro me pajton, gjë e cila është një traditë e lashtë e dasmave beratase, ashtu si dhe janë marrja e nuses të hipur në kalë dhe të mbuluar me duvak të kuq, gara mes krushqve për shaminë e kuqe të saj në qytet dhe në rrethinat e tij e më gjerë. Shpesh herë dhëndri dhe nusja ndodhen mes dilemës së limuzinës, pajtonit dhe shëtitjes në këmbë për të xhiruar videoklipin pa pasur vëmendjen se sa kushton një shëtitje mes njërës dhe tjetrës. Po kështu është dhe dilema mes dixhejt dhe ahengut të orkestrës, çmimi dhe kënaqësia tek dixhej, çmimi i madh për lekët e dasmës si dhe dilema tjetër për fitimet nga dixhej që lekët i merr vetë çifti, apo ai i orkestrës live që i shtohen shpenzimet pasi nga orkestra nuk fiton asgjë, veç lodhjes së madhe. Pra, qyteti 2400-vjeçar i një mbi një dritareve vazhdon ende traditën shekullore, ritet dhe zakonet e tij të përhershme, të cilat nuk harrohen sapo kalon një ajo zëvendësohet me një tjetër. Një imazh i perceptuar bukur në sytë e këtij qyteti, të lë mbresa, kujtime të mrekullueshme.

Tradita e dasmave beratase

Nëse dëshiron të dish më shumë për traditën shekullore të këtij qyteti mjafton të shkosh, të trokasësh dhe të kalosh disa çaste të bukura mes qytetarëve beratas. Sapo futesh në rrugicat e këtij qyteti kudo do të dëgjosh muzikë të ndryshme si Vals, Klasik, Hip-hop, Xhaz, Bluz, Rrok, Dans, këngë të lehta popullore e paharruar ato më kryesoret këngët beratase traditën e këtij qyteti trashëguar brez pas brezi. Kudo do të ndiesh pas tyre këto ditë edhe freskinë që në këto raste nuk e ndjen teksa vallëzon në rrethin e pandashëm të dasmës. Gjithkush do të ishte kurioz të ishte i pranishëm në një festë të tillë në këtë qytet traditash. E nëse do t’i ndjekësh hapat të çojnë drejt lokaleve të këtij qyteti që janë të pazëvendësueshëm, gurët të gdhendura nga artizanët më të vjetër të bëjnë kureshtar t’i shohësh në çdo detaj. Disa detaje të vogla të bëjnë kurioz të ndjekësh me kuriozitet këto dasma, tradita beratase e përhapur në çdo qoshe të këtij qyteti që e bënë të pamundur harresën e traditës madhështore. Dasma nis thuajse ditë përpara me prenotimet e saj, dilema që përfshin nusen dhe dhëndrin është edhe zgjedhja midis limuzinës dhe pajtonit. Secilit prej tyre ka preferencat e tij personale po cila do të jetë ajo më e bukura dhe e veçanta për të dy. Të vendosësh mes njërës dhe tjetrës është shumë e vështirë, duke filluar nga gjithçka që është e nevojshme. Prenotimi i makinës së nuses është diçka e thjeshtë po brenda saj ka një kureshtje të madhe. Para se të vendosësh për të duhet të mendosh shumë gjëra. E bukura dhe e veçanta mes limuzinës dhe pajtonit, kush prej tyre do të mund t’ia përmbushin kushtet më të mira që t’i mbush mendjen çiftit për ditën e veçantë të dasmës së tyre. Limuzina një makinë luksoze me komoditet brenda saj, ku plotëson të gjitha kushtet për çiftin, duke filluar nga akoludimi i saj, pijet freskuese për çiftin, hapësira dhe vend i përshtatshëm që një çift të ndihet mirë, kondicioner dhe muzikë e zgjedhur prej çiftit në sfond. Makina është e zbukuruar në një mënyrë të veçantë dhe me shije, luks, bukuri dhe gjithçka që dëshiron mund ta gjesh aty. Po kështu dhëndri është i vetmi person, i cili shoqëron nusen gjatë gjithë rrugës. Por që të kesh këtë makinë duhet të të kushtojë, nëse kjo makinë që të plotëson çdo luks, nuk do të ndodhet vetë do të detyrohesh që ta marrësh me qira duke shpenzuar rreth 50 mijë lekë të vjetra dhe kjo vetëm për një shëtitje. Bukuria ndodhet kudo një tjetër dilemë që e shoqëron çiftin mbetet dhe pajtoni. Aktualisht vazhdon të kthehet sërish në skenë pajtoni, e cila kjo traditë ekzistonte kohë më parë.

Dilemat e çiftit...

Ka ekzistuar shekuj më parë kur nusja merrej me kalë dhe fytyra e saj ishte e mbuluar me një rrobë të kuqe, e cila quhej duvak, kjo ishte për të gjitha nuset. Vitet kalojnë duke na sjellë një tjetër komoditet të ndërthurur me traditën beratase që tashmë mund të mendosh për diçka më të

veçantë siç është pajtoni, i cili përbëhet nga një karrocë që tërhiqet nga një kalë i kuq. Pajtoni që tashmë ndodhet pranë çdo pronotimi, mbetet i pëlqyer dhe i dëshiruar nga të gjithë ashtu si edhe limuzina gjithashtu. Karroca e zbukuruar në një mënyrë të veçantë për këtë ditë të shënuar të çiftit të ri, karroca është e rrethuar me lule nga të dyja anët, tenda e cila është e mbuluar të lë mbresa, por e veçanta e saj është sepse aty ndodhet një zotëri, i cili bënë të mundur lëvizjen e pajtonit. Nusja dhe dhëndri do të jenë ulur mbrapa karrocierit në pjesën më të lartë të pajtonit, duke soditur me sy gjithë rrugën e shëtitjes. Melodia që do ta shoqërojë çiftin gjatë gjithë rrugës do të jenë hapat melodioz të kalit. Tarifa gjithashtu është e ndryshme edhe për pajtonin, i cili kushton pak më shumë se limuzina, rreth 20 mijë lekë të vjetra. Nuk përjashtohet rasti kur nusja dhe dhëndri dëshirojnë të vendosin por janë në një dilemë për makinën luksoze limuzinën dhe traditën beratase pajtonin. Kështu duke bërë dallimin mes të dyjave tashmë janë vetë ata që do të arrijnë në një konkluzion përfundimtar. Kërkesat janë të shumta si për njërën dhe tjetrën, por është çifti ai që do të bëjë zgjedhjen. Duke lënë mënjan për një çast limuzinën dhe pajtonin, çifti përzihet në një rrymë tjetër, dilema që e shoqëron tashmë është zgjedhja ndërmjet orkestrës dhe dixhejt. Të mendosh për të dyja është e lehtë, gjithashtu të bësh dallimin ndërmjet tyre, por të zgjedhësh mes njërës apo tjetrës është tepër e vështirë. Nëse do të zgjidhje dixhejn që do të shoqëronte në këtë mbrëmje madhështore do të kishe mundësinë të dëgjoje të gjitha këngët e tua të preferuara dhe më të bukurat që do të duheshin në një dasmë beratase. Janë të shumtë ata që zgjedhin dixhejnë për të përmbushur dëshirat e tyre të pafundme me këngët që të ofron. Është e thjeshtë dhe më pak e kushtueshme të zgjedhësh një dixhej, pasi është një person i vetëm dhe dy boksera të mëdhenj që të shoqërojnë në të gjithë dasmën. Çdokush mund të zgjedhë këngën dhe muzikën e tij të dëshiruar, të preferuar nga ai vet duke plotësuar çdo tek të çdokujt. Nëse do të zgjedhësh këtë të fundit do të shpenzosh më pak, dasma do të kushtoj 250 mijë lekë të vjetra, pjesa tjetër e lekëve që ngelen i merr vet çifti. Po kështu mund të themi edhe për orkestrën, ahengu do të përfshi gjithë mbrëmjen, muzika do të mbizotërojë në çdo kënd të lokalit, kudo do të buçasin këngët e traditës beratase që për shekuj me radhë janë në qendër të vëmendjes. Orkestra të servir në pak sekonda atë muzikë të përshtatshme për një çift. Tradicionalisht zgjedhja ka qenë orkestra duke u krahasuar me modernen, me atë të cilën e sjellë koha, je në dilemë mes të dyjave për të zgjedhur. Dëshira e madhe është ahengu që të ofron orkestra, por kostoja e saj është ndryshe nga dixhej që lekët që ngeleshin i merrte çifti, këtu ndodh e kundërta çifti nuk fiton asgjë veç lodhjes së madhe. Janë dëshira dhe qejfe, të cilat do të plotësojnë çdo dëshirë të çdokujt prej nesh, zgjedhja bëhet sipas gustos të personave të ndryshme, mes çdo dileme që i shoqëron ata. Po kështu është shprehur dhe pronari Ajka në qytetin e Beratit, çdo çift dëshiron më të mirën për dasmën e tyre dhe nuk ka raste të veçanta prej njërës apo tjetrës palë që çiftet dëshirojnë, jo gjithmonë ekzistojnë të njëjtat shije. Asnjëherë nuk ka një preferencë të veçantë mes dixhejt apo orkestrës, të dyja janë të preferuara dhe nuk janë të veçuara, kjo varet vetëm prej shijeve të secilit prej tyre. Nuk kam vënë re ndonjë dallim të veçantë ndërmjet njërës apo tjetrës. I ngelet çiftit të vendos për çdo dilemë që e shoqërojnë gjatë gjithë kohës, zgjedhja është e tyre. Dasmat beratase dhe tradita shekullore ngelen të gdhendura në kujtesën e të gjithëve atyre, të cilët kanë marrë pjesë qoftë edhe njëherë të vetme në një prej tyre. Brez pas brezi ndiqen gjurmët e traditës së dasmave beratase të qytetit madhështor 2400-vjeçar.

Një dasmë e veçantë

Një rastësi për një urim për martesën tek një kolege gazetare na befasoi kur pamë dy nuse, dasmë me dy nuse !! Sa befasuese po dhe aq e pa besueshme, por ja që ndodhin. Dy javë më parë gazetarja Dorina Gozhina kishte ceremoninë e martesës dhe për traditën e për forcën e zakonit së bashku me grupin e gazetarëve beratas shkuam në pasditen e ditës së hënë në këtë familje për të uruar lumturin e çiftit. Por sapo mbërritëm në portën e shtëpisë pamë që drejt hyrjes para nesh po hynin në portë dy nuse, në fillim nuk u besuam syve, por që ja ishte e vërtet. Familja Gozhina, gazetari i njohur dhe një nga më të vjetrit gazetar aktivë në qarkun e Beratit pas viteve 1990 Sulo Gozhina kishte vërtet gëzim, ai martonte në një ceremoni të thjesht dhe modeste dy vajza, Dorinën dhe vajzën tjetër Aurorën edhe kjo e njohur në opinionin publik beratas si një nga gazetaret e pas viti 2000. Xhiruam për disa minuta këtë fillim ceremoni, ndërsa sqaruam dhe arsyen e dy nuseve. “Po, do të përgjigjej i zoti i shtëpisë – ditën e djeshme martova vajzën, pra Dorinën, ndërsa për të mos ju shkëputur gëzimeve edhe për arsye të largimit të tre vajzave në emigracion, ashtu familjarisht menduam dhe organizuam këtë ceremoni martese edhe për vajzën tjetër Aurorën, ndërsa të dyja vajzat menduan që të bënin një videoklip të përbashkët duke na sjellë dhe ne prindërve të veçantën e dy nuseve që në këtë rast edhe për opinionin publik duket paksa e çuditshme. Në kësi rastesh gazimi është i dyfishtë, cilido që është prindër e di mirë këtë”. Duke i uruar jetë të lumtur dy vajzave dhe çifteve të tjera beratase, të martuar në këtë stinë dasmash që solli dhe një ceremoni të veçantë ne mësuam edhe diçka më shumë. Për të mos u shkëputur nga kjo familje mundet të themi se e veçanta e saj është se, tre vajzat e saja janë gazetare, dhe pikërisht Aurora, Rezarta dhe Dorina, ndërsa janë dhe atë e bir gazetar Klidjoni dhe vetë si zoti i shtëpisë Sulo Gozhina. U larguam nga kjo familje duke marrë me vete shijen e kënaqësinë e veçantë të mikpritjes bujare dhe ëmbëlsinë e ballokumeve të prodhuara enkas për këtë ceremoni të veçantë martesore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›