E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare

19/03/2005  Presidenti i Republikës thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të shqyrtuar bashkarisht projektligjin “Për vendosjen dhe kalimin në territorin e Republikës së Shqipërisë të forcave të huaja ushtarake, si dhe për dërgimin jashtë vendit të forcave ushtarake shqiptare”. Kreu i shtetit ka pohuar se prej kohësh është ndjerë nevoja për përshtatjen e infrastrukturës ligjore, sipas standardeve euroatlantike të sigurisë dhe kjo është bërë edhe më urgjente, nisur dhe nga kërkesat e përsëritura të bëra nga aleatët tanë. Kjo, pasi një ligj i tillë duhet të shërbejë si një mekanizëm elastik, që të mundësojë përgjigje të shpejta ndaj kërkesave të operacioneve, që mund të ndërmarrin partnerët tanë, ku kërkohet edhe angazhimi i forcave të vendit tonë. Moisiu ka pohuar se ky ligj duhet të përcaktojë një përshkallëzim të balancuar të kompetencave për organe dhe autoritete të caktuara si të Kuvendit, Këshillit të Ministrave, ministrit të Mbrojtjes, gjithnjë në varësi të rëndësisë dhe karakterit të operacioneve ushtarake ndërkombëtare, operacioneve humanitare, stërvitjeve ushtarake ndërkombëtare, madhësisë së forcave të parashikuara, si dhe të marrëveshjeve dhe protokolleve ndërkombëtare. Të bëjmë kujdes, ka vijuar në fjalën e tij Presidenti, që të shmangim edhe ndonjë problem të krijuar në lidhje me prezencën e shteteve të veçanta me forca e infrastrukturë në kuadrin e projekteve dhe programeve dypalëshe në fushën e mbrojtjes. Çështje tjetër e kësaj mbledhje i është kushtuar ristrukturimit të kompanisë komando me mision në Irak, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit. Për rritjen e prezencës tonë në Irak, ka thënë numri një i shtetit, vlerësoj vendimin e Këshillit të Ministrave për shtesën e fondit që mbulon shpenzimet për shpërblimin e kontigjentit dhe masat e marra nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për ristrukturimin e kompanisë, pasi, kjo do t’i shërbejë rritjes së sigurisë në përmbushjen e misionit të ngarkuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›