E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionët në udhëkryq

18/12/2004  Pas hedhjes së shortit në Nion të Zvicrës, më në fund Liga e Kampioneve ka zbuluar emrat e supersfidave, të cilat do të zënë fill në muajin shkurt. Sigurisht nuk kishte se si të ndodhte, ku në një kompeticion të tillë, përplasjet e mëdha kanë qenë të pashmangshme. Gjatë hedhjes së këtij shorteu, kanë dalë në pah duele të papritura, mes skuadrash kampione si Real Madrid, Barcelona, Milan, apo Juventus. Më të spikatura kanë qenë dyluftimet midis dy liderëve të Premier Ligës dhe Primera Divizion, si Çelsi dhe Barcelona. Në fakt këto skuadra si për çudi, ndonëse janë quajtur si favoritet e këtij trofeu prestigjoz, koha tregoi që djemtë e Hoze Murinjos dhe Frenk Rajkard, tani duhet të mendojnë për supersfidën midis tyre. Ata janë të dy, trajnerë të rinj në skuadrat që drejtojnë dhe përballja mes tyre, do të jetë një sfidë, e cila do të ofrojë spektakël dhe emocione. Klubi londinez i Çelsit, asnjëherë nuk e ka fituar trofeun e Ligës së Kampioneve, por aktualisht, mbeten pretendentët kryesorë për finalen e Stambollit. Prapa këtij suksesi, natyrisht fshihen paratë e Roman Abramoviç dhe aftësitë e trajnerit portugez, njeriu, i cili ka çuar Porton në fitimin e këtij trofeu në sezonin e kaluar. Ambiciet e bluve janë të mëdha, sepse me revolucionin e lojtarëve të rinj që janë rekrutuar në skuadër, do të vënë në vështirësi, gjithë rivalët e mundshëm. Nga ana tjetër katalanasit nuk do të rrinë duarkryq dhe prandaj do të synojnë që të përsërisin suksesin e vitit 1992. Po ashtu, të tjera përplasje interesante janë shpallur në shortin e Nionit. Kështu janë galaktikët e Real Madrid, të cilët do të përballen me Juventusin e Fabio Kapelos. Është bërë realitet, parashikimi i Sir Aleks Ferguson, për t’u ndeshur me Milanin e Ançelotit, në takimin e radhës të Ligës së Kampioneve. Dy skuadrat e tjera angleze, Arsenali dhe Liverpuli, do të përballen me emrat e njohur të Bundesligës, siç janë Bajern Mynih e Bajer Leverkusen. Topçinjtë do të ndeshen me bavarezët, kurse djemtë e Benitez, me skuadrën e aspirinave. Ndërkaq, kampionët në fuqi të Evropës, do të kenë përpara një tjetër skuadër italiane dhe pikërisht, Interin e Roberto Mançinit. Me gjithë vështirësitë për të marrë pjesë në këtë raund të Ligës së Kampioneve, skuadra e Viktor Fernandez, nuk do të ketë një takim të lehtë kundër Interit, me ndryshime të shumta, si në formacion edhe në mendësi. Kampionët e Francës, Olimpik Lion do të jenë përballë gjermanëve të Verder Bremen, të cilët një javë më parë, ndëshkuan Valencian, duke e dërguar direkt e në Kupën UEFA. Ndërsa në fund, shorti është mbyllur me çiftin tjetër Monako-PSV Eindhoven. Takimet e para do të zhvillohen në datat 22/23 shkurt, kurse ato të kthimit në 8/9 mars.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›