E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali, frikë nga Erikson

18/12/2004  Ka një arsye, për të cilën Real Madrid, duket i vendosur për të zgjedhur Arrigo Sakin, në vend të trajnerit aktual të Kombëtares angleze, Sven Goran Erikson. Sipas shtypit spanjoll, presidenti i skuadrës madrilene, Florentino Perez, është i friksuar nga suedezi, për shkak të famës që ka ky i fundit, në lidhje me skandalet, të cilat shpeshherë e kanë nxjerrë Eriksonin, në faqet e para të gazetave. Erikson ka qenë në qendër të vëmendjes, pas skandalit të fundit në Federatën Angleze të Futbollit, si dhe për lidhjen e tij me Nensi Del’Olio. Kështu, shanset që Sven Goran Erikson të zërë vendin e drejtorit teknik të Realit të Madridit, janë shumë të pakta. Ato që kanë ndërruar mendjen e numrit një të madrilenëve, Perez, kanë qenë pikërisht skandalet, te të cilat trajneri aktual i Kombëtares angleze, ka qenë protagonist, për shkak të lidhjes së tij me avokaten italiane, Nensi Del’Olio. Paçka se Erikson i pëlqen shumë presidentit të “merenges”, ky i fundit druhet nga skandalet, që mund të shpërthejnë në Spanjë, në lidhje me suedezin, ashtu siç ndodhi në vitin e parë, me futbollistin anglez, Devid Bekam. Për këtë arsye, Perez, duket se është rikthyer përsëri tek Arrigo Saki. Ish-trajneri i Kombëtares italiane, ishte emri i parë në listën e Perez, i cili kërkon një “gjigand” për të drejtuar skuadrën e tij, në bashkëpunim me trajnerin, i cili do të zhvillojë të gjithë punën në fushë me skuadrën. Një javë më parë, një i dërguar i Real Madridit në Angli, i bëri të ditur të gjitha planet që kishte klubi spanjoll për Sven Goran Erikson, si dhe pëlqimin e tij nga tre lojtarët e skuadrës madrilene, që bëjnë pjesë edhe në skuadrën Kombëtare angleze, Bekam, Ouen dhe Udgeit. Por zhurma e thashethemeve dhe fama e suedezit, e fituar falë skandaleve të fundit kanë kompromentuar tratativat. Ky fakt, ka bërë që Reali të kthehet përsëri tek emri i Arrigo Sakit, i cili gëzon një respekt maksimal në të gjithë botën e futbollit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›