Kriza, tkurret tregtia, bien eksportet dhe importet
Tkurret tregtia, shkak është kriza globale. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, eksportet e mallrave shqiptare drejt tregjeve të huaja kanë pësuar rënie, po ashtu edhe importi. Të dhënat tregojnë se edhe deficiti tregtar ka pësuar rënie. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, deri në fund të muajit gusht janë eksportuar 7.145 milionë lekë mallra, me ulje 26.1 për qind në krahasim me korrik 2009 dhe ulje me 7.7 për qind në krahasim me gusht 2008. Janë importuar 33.726 milionë lekë mallra me ulje 8.3 për qind në krahasim me korrik 2009 dhe ulje 5.1 për qind në krahasim me gusht 2008. Deficiti tregtar i këtij muaji është 26.581 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 1.9 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 4.4 për qind krahasuar me gusht 2008. Tkurrja e tregtisë është një ndër efektet negative që kriza globale ka transmetuar në ekonominë shqiptare. Ashtu siç e kishin paralajmëruar edhe më parë ekspertët e ekonomisë, si pasojë e krizës eksportet e mallrave shqiptare drejt tregjeve të huaja do të pësonin rënie. Tregtia me vendet e Bashkimit Europian është 64.7 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 48.2 për qind dhe importi 20.2 për qind, kurse me Greqinë eksporti është 5.9 për qind dhe importi 18.3 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur janë: për eksportin, Bullgari, Kroaci, SHBA, Spanjë, Turqi etj., dhe për importin, Bullgari, Greqi, Holandë, Rumani, Rusi, SHBA etj. Sipas INSTAT, gjatë muajit gusht importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 6.160 milionë lekë, duke zënë 18.3 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me korrik 2009, importi i mallrave me akcizë ka patur rritje prej 31.9 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara e zënë nënproduktet e naftës (58.8 për qind).
Tregtia
58.7 për qind u rritën eksportet e produkteve kimike dhe plastike
10.4 për qind u rritën eksportet e ushqimeve
1.5 për qind u rritën eksportet e energjisë dhe lëndëve djegëse
63.8 për qind u ulën eksportet e lëkurës
44 për qind u ul importi i lëkurëve
34.7 për qind u ulën importi i tekstileve
31.9 për qind u rrit importi i mallrave me akcizë