E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe LSI, nën thumbat e avazit të vjetër, përgënjeshtron investimet e qeverisë

25-08-2008 / Gazeta 55

Pas politikës së re të spekullimeve dhe mashtrimeve që gjallon në PS, duket se nihilizmi ka prekur edhe përfaqësuesit e LSI-së. Kësisoj, nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, ka shprehur shqetësim dje, lidhur me dështimin e gjithanshëm sipas tij, të reformave dhe hapat mbrapa që po bën vendi nën këtë qeverisje. “Pavarësisht shiritave që Berisha nuk përton ti presë në mënyrë të përsëritur nga dy apo tre herë për të njëjtat investime, që duhet të kishin përfunduar prej kohësh, duke i shitur ata si punëra të mëdha të qeverisë së tij, infrastruktura vazhdon të jetë e rënduar dhe problematike në shumë qarqe të vendit, energjia dhe uji i pijshëm vazhdojnë të mungojnë me orë të tëra dhe mjedisi po degradon cdo ditë dhe më shumë duke filluar nga Tirana dhe në të gjithë vendin”, tha ai. Sipas Axhemit, zonat turistike edhe këtë vit u përfshinë nga problematika serioze si në infrastrukturë, në furnizimin me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm, gjë sipas tij u evidentua edhe nga pushuesit emigrantë që vijnë të kalojnë pushimet në Shqipëri. “Mungesa e reformave thelbësore e të rëndësishme në të gjitha fushat, cdo ditë e më tepër në mënyrë serioze po cënon dukshëm aspektet sociale, duke varfëruar gjithnjë dhe më shumë familjet shqiptare. Një ekonomi që prodhon një performancë negative në të gjithë treguesit e saj, bazuar dhe mbi raportet më të fundit të institucioneve prestigjoze ndërkombëtare FMN dhe BB, me progres të dukshëm dhe të ndjeshëm të korrupsionit, po vë në rrezik gjithnjë dhe më tepër të ardhmen evropiane të shqiptarëve”, shtoi më tej ai, nëpërmjet një komunikimi për shtyp. Megjithatë, është e qartë tashmë, opozita ka rënë në nihilizëm të plotë dhe nuk është në gjendje të pranojë progresin e vazhdueshëm edhe të gjithanshëm që Shqipëria po bën nën qeverisjen e filozofisë së djathtë politike. Dhe kjo shërben si një fobi pllakosëse, si për Ramën ashtu edhe për Metën, që në qeverisjen e tyre socialiste, vec përhapjes së kleptokracisë dhe një qeverisje avangarde, nuk u shënua ndonjë zhvillim përparues për Shqipërinë. ...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›