Policia shqiptare bashkëpunim të ngushtë me atë Kroate në luftën kundër krimit

Policia Shqiptare dhe ajo Kroate do të forcojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit mes tyre në luftën kundër krimit. Ishte ky mesazhi që përcollën drejtuesit më të lartë të Policive respektive gjatë një takimi që patën ditët e fundit në Kroaci. Burime nga Drejtoria e Pergjithshme e Policisë së Shtetit, bënë të ditur sot se, delegacioni i Policisë Shqiptare, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, nga data 18 -21 Gusht zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Kroate, Marjan Benko. Delegacioni i lartë i Policisë së Shtetit, fillimisht zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme Kroate, z. Ivica Buconjiç, ku u vleresua niveli mjaft i mirë i bashkëpunimit ndërmjet policive të të dy vendeve. Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Kroate, theksoi se drejtuesit e Policisë Kroate i kanë të gjitha hapësirat për t'i ofuar policisë shqiptare të gjithë asistencën e mundur të kërkuar. Buconjiç vlerësoi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe kërkoi një intensifikim të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në kuadër dhe të integrimit në BE. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Prençi, bëri një ekspoze të reformave ligjore dhe strukturore të ndërmarra në Policinë e Shtetit si dhe rezultatet ne luften kunder krimit, duke theksuar se policia shqiptare është e interesuar të bashkëpunojë me policinë kroate në të gjitha eksperiencat më të mira, me qëllim arritjen e standardeve te kërkuara. Z. Prençi shprehu gatishmërinë e Policisë së Shtetit për bashkëpunim në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe veçanërisht kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe të narkotikëve....