Edhe NATO do të vëzhgojë zgjedhjet në Shqipëri
Asambleja Parlamentare e NATO-s njoftoi dje se do të sjellë në Shqipëri një mision vëzhgimi për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky qëndrim vjen vetëm pak kohë pasi vendi ynë mori statusin e anëtarit me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Drejtuesit më të lartë të NATO-s kanë deklaruar në vijimësi se procesi zgjedhor i qershorit ka një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe marrëdhëniet në kuadër të aleancës. Faktorët ndërkombëtarë konstatojnë se detyrimet për përmbushjen e standardeve të kërkuara për zgjedhje të lira e të ndershme vijnë duke u shtuar që pas marrjes së statusit të anëtarit në NATO nga Shqipëria. Përmes procesit zgjedhor, vendi ynë duhet të dëshmojë se është në nivelin e demokracive të tjera perëndimore sa u takon zhvillimeve demokratike. Nëse do të ndodhte e kundërta, Shqipëria ka gjasa ta dëmtojë fort imazhin e saj ndërkombëtar, çka do të ndikojë edhe në hapjen drejt Bashkimit Evropian.