E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS letër Nishanit: Duhet të na jepni informacion për kartat

Partia Socialiste kërkon informacion të detajuar nga Ministria e Brendshme për procesin e pajisjes me kartë identiteti, veçanërisht të atyre pa pasaportë. Sekretari për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, në dijeni të strukturave ndërkombëtare si OSBE-ODIHR-it, i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, ku shpreh shqetësimin për kartat e identitetit si një prej elementeve më të rëndësishme që i takon këtij procesi zgjedhor. Islami parashtron tri kërkesa për ministrinë që mban përgjegjësi për procesin, duke kërkuar që informacioni të jepet brenda datës 30 maj. "Ju kërkojmë që brenda datës 30 maj të na vini në dispozicion listën e votuesve me pasaportë, kjo e dhënë të jetë e përditësuar deri në datën 20 maj.

Listën e të gjithë votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar, të përditësuar me të dhëna që prej datës 20 maj, si dhe listën e votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë letërnjoftimin deri në datën 20 maj", shkruan Islami. Sekretari për çështjet zgjedhore i kujton ministrit Nishani se e drejta e votës është një e drejtë kushtetuese, e cila sipas Kodit Zgjedhor realizohet me pasaportë dhe letërnjoftim. "Gjatë hartimit të Kodit Zgjedhor, bazuar në angazhimin tuaj për të pajisur të gjithë zgjedhësit me dokument identifikimi, kemi dhënë konsensusin për hartimin e nenit që parashikon përdorimin e pasaportës ose të letërnjoftimit si mjet identifikimi për të garantuar realizimin e të drejtës së votës dhe njëkohësisht për të shmangur manipulimin e zgjedhjeve", vijon zyrtari i lartë i selisë rozë.

Por, sipas konstatimit të tij, tanimë detyra e pajisjes me pasaportë apo letërnjoftimin e të gjithë zgjedhësve prezentë në listën e votuesve duket e pamundur me standardet demokratike. Njëkohësisht, Islami kërkon që ministria t‘i vërë në dijeni për zgjidhjet që ofrohen, për shkak të situatës që është krijuar. Do të ishte me interes të kishim dijeni, shkruan Islami, gjithashtu opsionet eventuale të zgjidhjes që do të mundësonin të gjithë votuesit pa pasaportë, të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë për letërnjoftim për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Islami konstatoi se informacionet e kërkuara me sipër dhe opsionet e zgjidhjes janë të nevojshme për Partinë Socialiste, pasi nga analiza e këtyre informacioneve dhe vlerësimet përkatëse do të jenë në themel të qëndrimit të PSSH-së ndaj këtij aspekti përcaktues të procesit zgjedhor. "Me shpresën për një përgjigje pozitive dhe të angazhuar për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare, ju shprehim gatishmërinë maksimale dhe pjesëmarrjen konstruktive të PS-së në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit", përfundon letra e Kastriot Islamit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›