E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Shqetësimi ynë për kartat

Raporti i parë i misionit vëzhgues të ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit vë në dukje se problemi më i madh me të cilin ndeshet infrastruktura zgjedhore është pajisja me letërnjoftime e votuesve. "Çështja e kartave të reja të identitetit është çështja më e diskutueshme në këtë proces zgjedhor deri më tani", shkruhet në raport. Me një

total prej rreth 730 000 votuesish të mundshëm që nuk posedojnë një pasaportë, raportohen rreth 354 000 të tillë që kanë aplikuar për një kartë identiteti deri më 19 maj, sipas informacionit nga Ministria e Punëve të Brendshme. "Rreth 160 000 votues shqiptarë besohet se janë pa dokumente të rregullta jashtë vendit. "Një numër prej 220 000 votuesish të kategorisë së atyre pa pasaportë rezulton të mos kenë aplikuar ende për një kartë identiteti", vijon raporti. Ministria e Brendshme ka siguruar gjithsesi misionin vëzhgues të ODIHR-it se është në gjendje të pajisë me karta identiteti këtë kategori votuesish përpara zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. "Disa palë në proces hedhin dyshime nëse kompania e kontraktuar për të menaxhuar qendrat e aplikimit dhe për të prodhuar kartat e identitetit e ka aftësinë për të përballuar një numër të lartë aplikantësh në kaq pak kohë", nënvizohet në raport. Sipas ODIHR-it, partitë e opozitës janë ankuar se procesi i pajisjes me karta identiteti është komplikuar në mënyrë të panevojshme. "Në mënyrë të veçantë, Partia Socialiste deklaron se procesi i aplikimeve po kryhet në mënyrë selektive në raport me përkrahësit e tyre", shkruan raporti. ODIHR-i thotë se çmimi fillestar prej 1200 lekësh shkaktoi një polemikë mes qeverisë dhe opozitës, që kërkoi lëshimin falas të kartave të identitetit. "Në janar, qeveria vendosi që disa kategori të qytetarëve do të paguajnë një tarifë të reduktuar ose do të përjashtohen nga pagesa për një kartë identiteti të re, por me kusht që ata të mos posedojnë një pasaportë", thotë raporti. Pas negociatash intensive, nënvizon ODIHR-i, u arrit një kompromis ndërmjet PD-së dhe PS-në më 28 prill, ku për një kartë identiteti u ra dakord të paguhen 200 lekë. Zgjedhjet do të administrohen nga tri nivele komisionesh. Do të funksionojnë 66 Komisione Zonale Zgjedhore dhe 4800 qendra votimi. Numri i vendeve të numërimit të votave shkon në 66, një për çdo zonë zgjedhore. "Për lehtësinë e administrimit të procesit zgjedhor, 12 rajonet janë ndarë në 66 KZAZ, të cilat kanë shtatë anëtarë. Partitë politike që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje u duhet të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si subjekte zgjedhore. Dy ose më shumë parti mund të regjistrohen si një koalicion zgjedhor. Një parti politike që është regjistruar në KQZ, sipas Kodit Zgjedhor duhet të paraqesë një listë shumemërore të kandidatëve për deputetë, 40 ditë para zgjedhjeve. ODIHR-i raporton se për këto zgjedhje janë regjistruar 45 parti politike si subjekte zgjedhore. 34 prej tyre janë përqendruar në katër koalicione. Referuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 36 parti kanë depozituar listat e kandidatëve teksa 33 prej tyre janë pjesë e koalicioneve. "KQZ-ja ka filluar të mbledhë materialet për kandidatët më 21 maj dhe duhet që deri më 24 maj ta përfundojë këtë proces. Dita e fundit për të vendosur mbi listat është data 29 maj. Partia Socialiste ishte e vetmja parti e cila dorëzoi listat në KQZ jashtë afateve ligjore dhe ky subjekt u justifikua se nuk gjeti njeri në KQZ në momentin kur mbërriti", shkruan raporti. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi më 14 janar datën e zgjedhjeve parlamentare. Duke iu përgjigjur ftesës së Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ODIHR vendosi misionin e tij në datën 8 maj. Misioni i drejtuar nga britanikja Audrey Glover, mbështetet nga një skuadër bazë prej 14 personash dhe 26 vëzhguesish afatgjatë të shpërndarë në të 12 rajonet e Shqipërisë. Vëzhguesit afatgjatë vijnë nga 20 shtete të ndryshme të OSBE-së, ndërsa një numër prej 400 vëzhguesish pritet të mbërrijnë pak para ditës së votimit.

Konstatimet

"Mjedisi politik zgjedhor,

i polarizuar dhe mosbesues"

Qeveria, kontaktet me Glover vetëm në rangjet e ulëta

Një proces elektoral që po zhvillohet mes një polarizimi të fortë të dy partive më të mëdha rivale në zgjedhje, por edhe mes akuzash të ndërsjella për korrupsion. Dyshime të forta për administrimin e procesit elektoral, si dhe reklamime fitoresh e arritjesh në televizion, ndërsa fushata zgjedhore zyrtarisht ende nuk ka nisur.

Këto dhe konstatime të tjera vijnë të përmbledhura në disa faqe raport të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it të bërë publik dje. Ky është edhe raporti i parë i përgatitur në këtë fazë preliminare të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Por, mes rreshtave nuk mund të mos konstatohet edhe niveli jo i lartë i mikpritjes nga ana e zyrtarëve të qeverisë, për misionin vëzhgues ose "rojtarët ndërkombëtarë" që do të arbitrojnë rezultatin final pas datës 28 qershor 2009. Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it e hapi zyrën e tij në Tiranë më 8 maj 2009. Raporti përshkruan se shefi i misionit ka takuar anëtarë të KQZ-së, zv/ministrin e Brendshëm, drejtues të partive parlamentare dhe të disave joparlamentare. Po kështu, misioni u takua edhe me përfaqësues të zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Aty saktësohet se "janë vendosur kontakte të rregullta me KQZ-në, partitë politike, shoqërinë civile dhe me median", ndonëse njerëzit e rëndësishëm, që drejtojnë qeverinë, nuk janë takuar ende me misionin vëzhgues.

Në raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it theksohet se "mjedisi politik mbetet thellësisht i polarizuar mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste". Ndërsa, për partitë e vogla nënvizohet fakti se kanë kundërshtuar sistemin e ri elektoral, duke konsideruar se e ardhmja e tyre mund të jetë më e sigurt brenda koalicioneve. Ndaj dhe shumica e tyre, thuhet në këtë raport, i janë bashkuar njërit prej katër koalicioneve të këtij procesi elektoral.

"Ka një mungesë të theksuar besimi mes shumë partive politike lidhur me administrimin e zgjedhjeve. Shumë parti të vogla shprehin pakënaqësinë me Kodin Elektoral, që u jep një rol dominant në administrimin e zgjedhjeve PD-së dhe PS-së, përkundrejt të tjerave", pohohet më tej në këtë raport, i cili nuk lë pa përmendur edhe elementin tjetër se "shumë parti kanë shprehur frikën e parregullsive në ditën e zgjedhjeve, veçanërisht gjatë procesit të numërimit të votave".

Hartuesit e këtij raporti, mbështetur mbi vëzhgimet në terrenin e nxehtë shqiptar, përpara dhe gjatë çdo sfide elektorale, nuk kanë hezituar që të shënojnë se "ndërsa periudha zyrtare e fushatës 30-ditore nuk fillon para datës 29 maj, partitë kanë nisur fushatën në mënyrë aktive, me figurat drejtuese politike, në ture anekënd vendit". Ata kanë vënë re gjithashtu, se pavarësisht koalicioneve, aktivitetet e fushatës janë bërë në mënyrë individuale nga partitë dhe jo me grupe të bashkuara. Shumë anëtarë të vegjël të koalicioneve theksojnë dëshirën për t‘u mëshuar identiteteve të tyre të dallueshme. Mes të tjerash, raporti analizon edhe formatimin e koalicioneve ku të djathtët grupojnë 17 parti dhe të majtët e Aleancës Socialiste për Integrim 6 parti. Dhe pas këtij raporti, që përfshin harkun kohor 8-21 maj, priten të zbardhen më tej edhe të "pabërat" e zgjedhjeve shqiptare, deri më 28 qershor.

Citohet se televizioni shtetëror i shërben më shumë qeverisë se sa interesave publike

Mediat, shqetësim nga influencat politike

Një ndër shqetësimet kryesore të prezantuara në raportin e parë të Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit është ai që lidhet me mediat dhe mbulimin mediatik të fushatës.

Aty theksohet se reforma në transmetuesin publik, Radiotelevizionin Shqiptar, që ka ende mbulimin më të madh të territorit të vendit, ka ngecur. Me vetëm 9 për qind të buxhetit të tij, që vjen nga pagesa e taksës, televizioni publik mbetet financiarisht i varur nga buxheti i shtetit. Raporti citon gjithashtu pretendimet për emërime dhe shkarkime politike të drejtuesve të RTSH-së. "RTSH shihet nga shumë interlokutorë se i shërben qeverisë dhe partisë në pushtet, më tepër se sa është një transmetues i vërtetë në shërbim të publikut", thuhet në raportin e vëzhguesve të zgjedhjeve.

Sipas tyre, numri i madh i mediave që konkurrojnë në një treg reklamash të kufizuar (i vlerësuar me 21 milionë euro në vit) dhe mungesa e transparencës, për sa u përket fondeve të tyre, kanë ngritur shqetësimet mes gazetarëve dhe profesionistëve mediatikë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, për ndërhyrjen e biznesit dhe interesave politike në sektorin mediatik, që pretendon vetëcensurë dhe kërcënime ndaj pavarësisë së medias.

"Transmetuesit më të rëndësishëm televizivë dhe media e shkruar, përgjithësisht konsiderohen të jenë të lidhur me njërën ose me tjetrën nga dy partitë kryesore, dhe media përgjithësisht konsiderohet nga shumë të jetë pluraliste, por jo e pavarur nga influenca politike", vijon më tej konstatimet e para në Shqipëri ky raport i ndërmjetëm i vëzhguesve ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, aty vihet në dukje se televizioni privat "Top Channel" konsiderohet si media më popullore në vend. Monitorimi i medias nga ana e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it ka nisur që më 18 maj, ku nga media e shkruar janë preferuar vetëm katër gazeta të përditshme, mes tyre edhe "Shqip".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›