E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vrarë vëllai i "Shuaipit"

• Vdes me thikë në zemër vëllai i superkillerit të Beratit. Ilir Zhuka, 27 vjeç, u gjet mëngjesin e djeshëm i pajetë, në afërsi të lagjes së Kalasë.

BERAT/ DILAVER XHELILI

Një kalimtar që po përshkonte rrugën ka parë trupin e gjakosur dhe ka lajmëruar policinë, e cila me shpejtësi ka identifikuar viktimën, vëllanë e Dritan Zhukës, (Shuaipit), ekzekutuar nga forcat speciale 7 vjet më parë.
Sipas ekspertëve të policisë, në trupin e të riut u gjet e ngulur arma e ftohtë, duke e bërë krimin misterioz, nëse bëhet fjalë për vrasje apo vetëvrasje nga ana e tij. Thika, e përmasave të mëdha, është bllokuar nga policia dhe dërguar për ekspertim, ndërsa kufoma u transportua drejt morgut për t'iu nënshtruar autopsisë. Grupi i hetimit i ngritur për vdekjen e Zhukës po punon në të dy pistat, duke mbledhur dëshmi dhe prova për ngjarjen e rëndë. Fakti që thika ndodhej ende në zemër, kur nga verifikimet e para mbi të rezultojnë gjurmët e viktimës, ka lënë pistën e vetëflijimit. Por vendi ku u gjet, disa metra larg shtëpisë, në lagjen periferike, ka hedhur dyshimet se ai është marrë nga persona të tjerë deri në këtë zonë për t'u ekzekutuar. Burime nga familja Zhuka bëjnë të ditur se 27-vjeçari kishte disa vjet që ishte i papunë dhe gjendja ekonomike e tij ishte tejet e rënduar. Ai jetonte me të ëmën, Olldezen, 60 vjeçe, e cila merrte një pension simbolik. E pyetur pas ngjarjes nga policia, ajo është shprehur se i biri jetonte i mërzitur dhe i vetmuar e gjithmonë mendohej dhe shfrynte me vete. Të afërm të tij tregojnë se Iliri ishte jo vetëm nën presionin e papunësisë dhe varfërisë, por dhe për pasojat e lëna nga i vëllai. Dritan Zhuka, i akuzuar për vrasjen me pagesë të 10 personave, mes të cilëve dhe shefin e policisë së Vlorës, Ilir Ngresi, kishte lënë pas shumë hakmarrje nga familjet e viktimave. Në këto kushte, i vëllai i vogël duket se po përjetonte pasojat e një depresioni. Burime të policisë bëjnë të ditur se ai është gjetur 50 metra larg shtëpisë, pranë kalasë, pasi lagjja "Barrikadë" është e shtrirë përgjatë murit të saj. Deri në mbrëmje, grupi i ngritur për zbardhjen e vrasjes së Zhukës nuk kishte përcaktuar ende për shkaqet e vdekjes. Ndërkohë, në komisariat janë shoqëruar të afërm të tij dhe dëshmitarë mbi veprimet e fundit të kryera nga 27-vjeçari Zhuka. Pritet që vetëm pas mbërritjes së përgjigjes nga laboratori i kriminalistikës të jepet përfundimi nëse në armën vdekjeprurëse kanë mbetur gjurmë të personave të tjerë, veç atyre të viktimës Zhuka.

Historia e Shuaipit
Emri i Dritan Zhukës, i njohur me nofkën "Shuaipi" është bërë i njohur gjatë viteve 1997-2001. Një veprimtari e mbushur me krime, të provuara nga policia e prokuroria, e cilësuan atë si ekzekutorin e tmerrshëm të Beratit. Ndaj tij rëndojnë akuzat e 10 vrasjeve me pagesë, mes të cilave dhe ajo e major Ilir Ngresit, krim i kryer në bashkëpunim me Kastriot Jaupin. Për këtë vrasje Zhuka u dënua në mungesë me burg të përjetshëm, duke u shndërruar në personin më të kërkuar në vend. Gjatë një aksioni të kryer në komunën Tërpan 7 vjet më parë nga policia e Beratit dhe forcat speciale "Renea", Zhuka u ekzekutua. Ai u transportua drejt Beratit me një makinë të zbuluar, fakt ky që u përdor si akuzë në gjyqin e kryer ndaj ish-drejtorit të policisë së Beratit, Ilirjan Dida.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›