E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset i mituri, qëllohet dy herë me thikë nga shoku 13-vjeçar



Në tri ditë, tre të plagosur dhe një 23-vjeçar i vdekur

Shkaku, sulmet e kryera nga adoleshentët me armë të ftohta

Një 13-vjeçar ka plagosur shokun e tij pas një sherri banal, ndërsa dy adoleshentë të tjerë nën kërcënimin e thikave kanë vjedhur në një pikë karburanti 280 mijë lekë të vjetra. Kështu, brenda tri ditëve në vend ka pasur tre të plagosur dhe një 23-vjeçar që ka humbur jetën, si pasojë e sulmeve të kryera nga adoleshentët, të cilët janë shndërruar si tepër agresivë dhe kanë nën përdorim armë të ftohta. Pas një sherri banal ndërmjet dy të miturve 13-vjeçarë, njëri prej tyre ka mbetur i plagosur nga goditjet e thikës, duke rrezikuar seriozisht jetën. Sipas policisë, shtetasi K.Ll., 13 vjeç, ka goditur dy herë me thikë bashkëmoshatarin e tij Xh.H., duke i shkaktuar plagë të rënda në pjesën e barkut. Ndaj të plagosurit është dhënë ndihma e parë, duke e çuar atë në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Por, sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore ka qenë kritike, duke i detyruar ata ta nisin menjëherë për ndihmë të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Po dje, dy adoleshentë të maskuar grabitën një pikë karburanti, duke kërcënuar jetën e punonjësit aty me thikë. Ata ishin në një motor pa targa dhe pasi ndaluan në një pikë karburanti në vendin e quajtur "Kthesa e Kuçovës", me drejtim për në Kosovën e Belshit, kërcënuan rojën dhe i morën atij paratë e xhiros ditore. Roja 53-vjeçar, I. Hysa, u ka dhënë atyre paratë, ndërkohë që ka mundur të njohë njërin prej autorëve. Drejtoria e policisë ka shpallur në kërkim 17-vjeçarin që dyshohet si një ndër pjesëmarrësit në grabitje. Ndërkohë po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorit të tij.

Precedentët

Dy ditë më parë, një 14-vjeçar goditi me thikë bashkëmoshatarin e tij brenda në oborrin e shkollës 9-vjeçare “Andon Xoxa” në Fier, pas sherrit për lojën e futbollit që po luanin në kalçeton e shkollës. Njëri nga të miturit, me iniciale A.M. ka nxjerrë një thikë që kishte me vetë dhe ka goditur bashkëmoshatarin e tij me iniciale E.M. Si pasojë, nxënësi është plagosur rëndë. Ndërkohë që tri ditë më parë, në fshatin Laknas të Tiranës, një 14-vjeçar, qëlloi me thikë vëllanë e tij, pasi një grindjeje banale mes të dyve. Gjithashtu, në Durrës, gjatë tentativës për të vjedhur në një dyqan, një 15-vjeçar i ka prerë fytin shitëses, duke u larguar më pas me një shumë të hollash. Në vitet e fundit shikohet që agresiviteti tek adoleshentët është shtuar së tepërmi. Ata shkojnë deri aty sa përdorin armë të ftohta gjatë sherreve të tyre, edhe pse këto ndodhin për arsye banale. Megjithatë, kjo formë e dhunshme e të vepruarit të tyre shpesh çon në viktima dhe në dëmtime serioze të moshatarëve, me të cilat ata kanë pasur konfliktin. Një problem serioz që shfaqet për shoqërinë është mënyra e dhunshme e të vepruarit të tyre, e cila i shndërron ata në persona të rrezikshëm. Por gjithashtu, për adoleshentët, është bërë tepër e thjeshtë që të sigurojnë armë të ftohta, të cilat më pas në gjaknxehtësi e sipër i përdorin për të dëmtuar bashkëmoshatarët e tyre, ose personat e tjerë, duke u shndërruar kështu në rrezik serioz për shoqërinë. Mjafton që të dalësh në tregjet e qyteteve, ose në dyqane të caktuara dhe mund të gjesh lloj-lloj modele thikash, të cilat reklamohen nëpër to. Dhe nga ana e tyre, shitësve në shumicën e rasteve nuk u intereson se kush është blerësi, por me rëndësi është që të shitet malli. Pavarësisht se me ligj është e ndaluar që të tilla sende të rrezikshme t’u shiten adoleshentëve. Dhe në një situatë të tillë, kur përplasjet dhe sherret janë “pjesë e jetës” së adoleshentëve shqiptarë, ku agresiviteti sa vjen e shtohet, është e domosdoshme që të merren masa për zgjidhjen e këtyre problemeve, në mënyrë që ata t’iu largohen sjelljeve të tilla të dhunshme, të cilat rrezikojnë jetën e bashkëmoshatarëve të tyre dhe të qytetarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›