E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe në Prishtinë, libër zie për presidentin polak

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi është nënshkruar sot në Librin e Zisë për presidentin e ndjerë polak, Lech Kaczynski, i cili po qëndron hapur në ambasadën hungareze në Prishtinë.

“Me rastin e humbjes tragjike të presidentit të Polonisë, Lech Kaczynski dhe të delegacionit të lartë të shtetit, shpreh dhembjen e thellë të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj dhe shpreh miqësinë e sinqertë të popullit të Kosovës me popullin e Polonisë demokratike”, ka shkruar Krasniqi.

Kryeparlamentari i Kosovës tha se vdekja e Kaczynskit është një humbje e madhe për Poloninë, por edhe për demokracinë në përgjithësi.

“Shpreha ngushëllimet më të sinqerta të popullit të Kosovës, popullit që përfaqësojmë, të institucionit ligjvënës dhe të miat personalisht. Njëkohësisht shpreha bindjen se do të thellohet dhe do të vazhdojë miqësia mes popullit të Kosovës dhe popullit mik polak. Sigurisht se kjo ishte një humbje e madhe për shtetin polak, një humbje e madhe për demokracinë edhe në Poloni, por edhe për demokracinë në përgjithësi”, ka thënë Krasniqi, pas nënshkrimit në librin e zisë, transmeton KosovaPress.

Pasdite pritet që edhe presidenti Fatmir Sejdiu të nënshkruhet në Librin e Zisë për presidentin e Polonisë dhe viktimat e tjera të tragjedisë ajrore të 10 prillit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›