E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vizat, liberalizimi në fillim të 2009”

 

ADI SHKEMBI

Shqipëria do të përfitojë nga liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian në fillim të vitit 2009. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini, gjatë një takimi në Romë me homologun e tij shqiptar, Lulzim Basha. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme, në këtë takim u bisedua veçanërisht për çështjen e liberalizimit të vizave. “Një theks të veçantë gjatë takimit u vu tek çështja e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor. Z. Frattini nënvizoi se, nuk do të jetë në formën e një pakete për të gjitha vendet. Ai shtoi se, Shqipëria është në pozitë shumë të mirë dhe se fillimi i vitit 2009 do të shënojë një perspektivë reale për liberalizimin e vizave me Shqipërinë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë këtij takimi ministri i Jashtëm, Frattini theksoi mbështetjen e fuqishme që Italia i jep perspektivës evropiane të Shqipërisë. Ai theksoi se, Shqipëria ka bërë një progres të shpejtë drejt integrimit evropian. “Ai cilësoi se lufta kundër krimit të organizuar është një histori suksesi e Shqipërisë. Ministri Frattini u shpreh se, prokurorët italianë janë shumë të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Shqipërinë”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Në takim bëhet e ditur se dy ministrat, vunë theksin në bashkëpunimin intensiv politik midis Tiranës dhe Romës. Në kuadër të këtij bashkëpunimi ministri Frattini i përcolli homologut shqiptar ftesën për një vizitë zyrtare të kryeministrit Berisha në Romë. Gjithashtu Frattini u shpreh se, presin dhe realizimin e vizitës së presidentit Topi në Romë, vizitë kjo e cila u shty për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Itali, ndërkohë që vetë Frattini ka njoftuar një vizitë në vendin tonë në tetor të këtij viti. Pjesë e diskutimeve, bëhet e ditur se ka qenë edhe çështja e centralit bërthamor, që pritet të ndërtohet në Shqipëri. Sipas njoftimit për shtyp, “bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e një pune të përbashkët për ndërtimin e centraleve bërthamore. Gjithashtu u diskutua dhe rreth çuarjes me tej të bashkëpunimit në fusha si drejtësia, rendi, infrastruktura, arsimi e tjerë”. Nga ana e tij ministri Basha theksoi se, Italia është një partner i pazëvendësueshëm strategjik i Shqipërisë, si dhe partneri kryesor politik dhe ekonomik i vendit tonë.

Balla: Harxhi ka dhënë dorëheqjen
Deputeti i PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se Ministria e Jashtme është jashtë funksionimit të saj. “Dua të informoj Kuvendin se zonja Harxhi në fjalë ka tre muaj që i ka dhënë dorëheqjen kryeministrit, për shkak të një konflikti personal me ministrin, pasi ky i fundit të jetë ankuar tek Baba Saliu për tejkalim të kompetencave të ish-shoqes së ngushtë të së bijës së babait. Nga qeveria nuk ka pasur asnjë njoftim lidhur me këtë fakt, duke u munduar ta mbajnë të fshehur, ose duke dhënë arsyetime te karakterit familjar dhe mjekësor”, deklaroi Harxhi. Sipas tij, edhe zv/ministri Gurakuqi nuk ka asnjë lloj lidhjeje me shërbimin e jashtëm dhe diplomatik dhe ndaj tij është hapur një gjyq për falsifikim dokumentesh. Ndërsa shtoi se, “sekretari i Përgjithshëm është emëruar ndërkohë ambasador”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›