E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një tjetër armik për median?!



Ditët e fundit kanë shënuar momentet më të zeza për lirinë e medias dhe demokracinë në vend. Organi i akuzës dhe strukturat e saj kanë vënë në punë shiritat e përgjimit për drejtuesit, redaktorët dhe gazetarët e disa prej mediave kryesore në vend, në përpjekjen për të gjetur autorët që nxorën në “pazar” dosjen hetimore të Gërdecit. Disa prej gazetave të përditshme po publikojnë dokumente të kësaj dosjeje, duke bërë punën e përditshme të tyre konform ligjit dhe Kushtetutës; për të informuar se kush janë fajtorët e vërtetë të ngjarjes që u pasua me vdekjen e 26 shqiptarëve, plagosjen e mbi 300 të tjerëve dhe dëmtimin e mijëra banesave; për të zbardhur skemën e korrupsionit shtetëror përmes trafikut të municioneve të skaduara.
Dy ditë më parë u regjistrua një tentativë për të blerë gjithë tirazhin e Gazetës Shqiptare nga një person i dyshimtë, në përpjekjen për të bllokuar shpërndarjen e materialeve hetimore te lexuesi. Përkundër deklaratave të qeverisë shqiptare dhe segmenteve të caktuara të maxhorancës, vetëm 24 orë më vonë zbardhet një tjetër skandal me përmasa shumë herë më të mëdha; ai i përgjimit të telefonave celularë të gazetarëve. Strategjia e organit të akuzës për të gjetur autorin e nxjerrjes në tregun mediatik të dosjes së Gërdecit, përmes survejimit të gazetarëve, është ndër skemat më të gabuara të Prokurorisë. Ky është një akt i gabuar; më i gabuar se çdo akt tjetër që ka bërë organi i akuzës.
Asnjë prokuror nuk mund të justifikojë aktin për të përgjuar në bllok me dhjetëra drejtues dhe redaktorë mediash, kur fare lehtë, organi i akuzës mund t’i gjente autorët që nxorën dosjet hetimore, qofshin edhe gazetarë, duke mbajtur në survejim vetëm rrethin e parë të të dyshuarve kryesorë, të cilët janë avokatë, të pandehurit, gjyqtarë apo vetë prokurorë, - të lidhur drejtpërdrejt me procesin.
Përgjimi i gazetarëve në bllok shënon aktin më të rëndë, pasi nuk dëmton thjesht një individ, por dëmton rëndë një prodhues publik të informacionit që ka një rrjet burimesh me të cilat ai raporton, informon apo investigon saktë dhe profesionalisht. Që tani gazetari ka humbur besimin te burimi për fajin e shtetit; media ka humbur misionin për shkak të dhunimit që po i bën vetë organi i akuzës në vend. Faturën nuk mund ta paguajë askush.
Veç të tjerash, tani Prokuroria ka në dorë me mijëra minuta biseda të regjistruara të gazetarëve, që kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme të jetës private dhe fati i tyre ndodhet në duart e prokurorëve që mund t’i shesin në treg ose t’i përdorin për shantazh në çdo moment, ashtu siç e kanë bërë një gjë të tillë në jo pak raste gjatë këtyre viteve.
Kjo praktikë antidemokratike ndërmerret në një moment kritik për Shqipërinë, kur sapo ka nisur fushata elektorale dhe media përballet me presione nga më të ndryshmet në punën e saj të përditshme.
Sot Shqipëria nuk e ka pushtetin e medias, pasi ai është uzurpuar padrejtësisht nga pushteti i Prokurorisë dhe institucioneve të tjera. Sakrificat e deritanishme të njerëzve të medias në misionin e tyre informues, për të luftuar korrupsionin dhe krimin, për të zbardhur të vërtetat e përditshme, janë zhbërë nga organi i akuzës. Që sot, vetë Prokuroria është rreshtuar me shantazhuesit dhe dhunuesit e fjalës së lirë; me ata që në emër të lirisë së medias përbuzin dhe injorojnë të vërtetat e saj. Në një moment të tillë, pa shpresën se pushteti dhe shumë prej institucioneve të shtetit do t’i japin zgjidhje një situate të tillë, është koha që media të luftojë për të mbrojtur veten.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›